Turqi, një tank fundoset në Gjirin Saros në Edrene me qëllim zhvillimin e turizmit të zhytjes
Një tank luftarak i modelit M62 T u fundos në Muzeun e Historisë Nënujore të ngritur në Gjirin e Saros në rrethin Keşan të qytetit Edrene në Turqi, me qëllim zhvillimin e turizmit të zhytjes

Edirne
Një tank luftarak i modelit M62 T u fundos në Muzeun e Historisë Nënujore të ngritur në Gjirin e Saros në rrethin Keşan të qytetit Edrene në Turqi, me qëllim zhvillimin e turizmit të zhytjes, raporton Anadolu.
Si pjesë e projektit të shkëmbinjve artificialë të realizuar në bashkëpunim me prefekturën e qytetit Edrene, Federatën Turke të Sporteve Nënujore dhe Shoqatën e Shërbimit të Infrastrukturës Turistike të Edrenes Saros (ESTAB), vazhdon puna për zhvillimin e turizmit të zhytjes pranë portit Ibrice.
Në kuadër të projektit, automjete dhe objekte të ndryshme po fundosen në det me qëllim tërheqjen e turistëve të interesuar për sportet nënujore dhe për të mbështetur formimin e shkëmbinjve artificialë në rajon.
Tanku luftarak model M62 T me gjatësi 8.5 metra dhe peshë 45 tonë, i cili u hoq së fundmi nga inventari i Forcave të Armatosura Turke, u vendos në zonën ku më parë janë fundosur statuja të ndryshme dhe një aeroplan pasagjerësh tip Airbus A330.
Tanku u transportua nga bregu me anije ndërsa u ul në një thellësi prej 10 metrash afërsisht 100 metra larg bregdetit Gökçetepe me ndihmën e një vinçi.
Guvernatori i Edrenes, Yunus Sezer, në deklaratën e tij për gazetarët, tha se Gjiri i Sarosit është një nga vendet e pakta në botë për sa i përket turizmit zhytës.
Duke deklaruar se porti Ibrice dallohet në këtë zonë në veçanti, guvernatori Sezer tha se objekte të ndryshme, statuja, anije dhe aeroplanë janë fundosur më parë në rajon.
"Sot me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, fundosëm një tank historik në brigjet e portit Ibrice në vendndodhjen Gökçetepe. Po punojmë për ta shndërruar rajonin në një qendër turizmi zhytjeje. Puna në infrastrukturë vazhdon", tha Sezer duke shtuar se turizmi i zhytjes në rajon do të zhvillohet.