Turqi, ndërron jetë udhëheqësi i "Koç Holding"
Kryetari i Bordit të Koç Holding, në kuadër të të cilës janë 113 kompani me 90 mijë të punësuar, ka ndërruar jetë sot në moshën 56-vjeçare nga sulmi në zemër

Ankara
ANKARA (AA) - Mustafa Koç, kryetar i konglomeratit më të madh industrial në Turqi - Koç Holding, ka ndërruar jetë sot në moshën 56-vjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).
Mustafa Koç u dërgua në spitalin Beykoz në Stamboll, ku mori ndihmën e parë, pasi kishte pësuar sulm në zemër këtë mëngjes.
Koç pas kësaj u transferua në Spitalin Amerikan të fondacionit Vehbi Koç ku pas një kohe të shkurtër ndërroi jetë.
Informacioni në lidhje me ndërrimin e jetës së tij u konfirmua nga drejtori i përgjithshëm i këtij spitali, Erhan Bulutcu.
"Sot në mëngjes Mustafa Koç pësoi sulm në zemër, pas së cilës u transferua në spital. Përkundër të gjitha përpjekjeve të mjekëve tanë ai humbi betejën për të jetuar", tha Bulutcu.
Mustafa Koç nga vitit 2003 ishte në krye të Koç Holding, e themeluar në vitin 1926, kurse në kuadër të saj janë 113 kompani me 90 mijë të punësuar.
Lëmitë kryesore të aktivitetit të kësaj kompanie janë: energjia, tregtia, industria, financat, turizmi dhe ndërtimi i anijeve. Ky holding ka bashkëpunim të mirë me shumë kompani të mëdha në Evropë, SHBA dhe Kinë.
Koç Holding është e vetmja kompani turke në listën e 500 kompanive më me ndikim në botë, të publikuar në revistën amerikane të biznesit "Fortune".