Turqia

Turqi, kokrrat e rërës i moshuari i shndërron në vepra arti

Cevdet Ar, një mjeshtër 73-vjeçar në pension vendosi të bënte piktura me mikromozaikë duke përdorur rërë me ngjyra të ndryshme të mbledhur nga bregdeti

Çiğdem Münibe Alyanak  | 21.06.2025 - Përdıtësım : 21.06.2025
Turqi, kokrrat e rërës i moshuari i shndërron në vepra arti Foto: Çiğdem Münibe Alyanak/AA

Çanakkale

Cevdet Ar, një mjeshtër 73-vjeçar në pension që jeton në Çanakkale të Turqisë, krijon piktura duke përdorur teknikën e mikromozaikut nga kokrrat e rërës me ngjyra të ndryshme që mbledh nga plazhi, raporton Anadolu.

Pasi doli në pension nga profesioni i tij si operator tornoje, Cevdeti punoi për njëfarë kohe në biznesin e gazit natyror dhe ngrohjes dhe, për të shfrytëzuar kohën e tij të lirë, filloi të bënte piktura të frymëzuara nga mozaikët e Zeugmës me xhamin e mbetur nga kuzhina.

Duke hequr dorë nga krijimi i mozaikëve sepse ishin një art që kërkonte shumë kohë, Cevdeti vendosi të bënte piktura me mikromozaikë duke përdorur rërë me ngjyra të ndryshme të mbledhur nga bregdeti.

Cevdeti i cili ngjyros rërën që mbledh për t'i bërë detajet më të dukshme në pikturat e tij, ka pikturuar historitë nga librat që lexoi për Trojën për 10 vjet.

Për Anadolu, Cevdet Ar tha se gjatë krijimit të veprave, ai përdor librin "Helena, Nusja e Trojës" si dhe Iliadën.

Ai tregon se i duhej të përdorte shumë ngjyra në pikturat e tij, prandaj vendosi ta ngjyroste rërën. Gjithashtu tha se një dosje iu dorëzua Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit që arti i mikromozaikut me rërë të pranohej si disiplinë.

"Nëse mikromozaiku me rërë hyn në literaturën e artit, do të jetë një fitim për brezat e ardhshëm. Nëse pranohet si disiplinë, do të jepen mësime dhe do të bëhet disa hapa përpara. Unë kam ardhur deri këtu. Ndërsa plakemi, ju vini e shkoni. Nëse mund të bëjmë diçka ndërsa jemi ulur, ne e bëjmë", tha ai.

"Unë ua mësoj këtë art atyre që duan ta mësojnë"

Ar deklaroi se kooperativa i ofroi një mjedis pune dhe tha: "Unë jam mekanik, ka shumë makineri që i përkasin kooperativës. Unë i mbështes ata dhe ata më dhanë mundësinë për të punuar. Ka anëtarë të kooperativës që duan ta mësojnë këtë art. Unë i mësoj ata që duan të mësojnë".

Ai shprehu dëshirën e tij që arti i mikromozaikut me rërë të njihej më shumë në botë dhe tha: "Nuk kam mundësi financiare për të hapur një ekspozitë jashtë Çanakkalasë, por nëse më japin mundësinë, do ta shfrytëzoj dhe do t'ua prezantoj punimet njerëzve".

Ar tha se vazhdon të punojë në pikturat që filloi të bëjë pasi u prek nga zjarret pyjore që shpërthyen në Çanakkale në dy vitet e fundit.

"Meqenëse Luftërat e Çanakkalasë janë një temë shumë e veçantë, kërkon kërkime shumë të mira dhe punë të kujdesshme. Kjo është arsyeja pse nuk kam përgatitur piktura mbi këtë temë. Kam lexuar librin e Turgut Özakman "Ringjallja", shumë gjëra dalin prej tij. Ka mijëra piktura, jo 10-20-50. Për shembull, unë nuk punoj në pikturën e Ataturkut sepse duhet të punosh me shumë kujdes, gabimi më i vogël është i pafalshëm. Njerëzit bëjnë gabime, kjo është arsyeja pse unë nuk punoj në pikturat e Ataturkut sepse kam frikë se mos bëj gabime, por e dua shumë Ataturkun", tha ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.