Turqi, filmohen struktura historike të vjetra rreth 2.400-vjeçare të mbetura nën ujë
Egil, i cili ndodhet 52 kilometra nga qendra e qytetit dhe ka pritur shumë qytetërime që nga kohët antike deri më sot, duke përbërë gurët themeltarë të historisë, tërheq vëmendje me vlerat e tij fetare, natyrore dhe kulturore.
Diyarbakir
Në rrethin Egil të qytetit turk Diyarbakir janë filmuar struktura historike rreth 2.400-vjeçare që ndodhen nën ujë.
Egil, i cili ndodhet 52 kilometra nga qendra e qytetit dhe ka pritur shumë qytetërime që nga kohët antike deri më sot, duke përbërë gurët themeltarë të historisë, tërheq vëmendje me vlerat e tij fetare, natyrore dhe kulturore.
Liqeni i Digës së Dicles, ndërtimi i së cilës filloi në vitin 1986 dhe që nisi të mbushet me ujë pas përfundimit në vitin 1997, përveçse është një burim i rëndësishëm i ujit të pijshëm dhe përdorimit për qytetin, tërheq vëmendje edhe me strukturat historike që ruan në thellësitë e tij.
Varret e profetëve Hz. Dhulkifl dhe Hz. Eljesa në Egil u zhvendosën në vitin 1995 në Kodrën Nebi Harun për të mos mbetur nën ujërat e liqenit të digës, ndërsa disa varre shkëmbore si dhe struktura historike si xhami, medrese dhe hamame vazhdojnë të ekzistojnë nën ujë.
Ekipet e Kërkim-Shpëtimit Nën Ujë (SAK) të Komandës së Xhandarmërisë së Qarkut filmuan disa nga strukturat e mbetura nën ujë në liqenin e digës ku realizuan zhytje për qëllime trajnimi.
- "Mund të kryhen studime të arkeologjisë nënujore për këto vepra"
Dekani i Fakultetit të Artit dhe Dizajnit në Universitetin Dicle, Prof. Dr. Irfan Yildiz, në një deklaratë për Anadolu, duke theksuar rëndësinë historike të rrethit Egil, tha se sipas të dhënave ekzistuese, vendbanimi i parë në këtë zonë fillon në periudhën e Hurri-Mitannëve, më pas kanë sunduar shumë shtete si Asirianët, Urartët, Medët, Persët, Roma dhe Bizanti, ndërsa pas vitit 639 ka hyrë nën sundimin e shteteve islame.
Yildiz theksoi se me ndërtimin e Digës së Dicles, që filloi në vitin 1986, rrethi ka përjetuar disa ndryshime.
Ai shtoi se me përfundimin e digës dhe mbushjen e saj me ujë, shumë vendbanime dhe vepra historike që më parë ndodheshin pranë lumit Dicle mbetën nën ujërat e digës.
Duke theksuar se në vitet e thata, me tërheqjen e ujit, siluetat e disa veprave bëhen më të dukshme brenda liqenit të digës, Yildiz tha:
"Në pamjet e realizuara nga ekipet ose në siluetat e veprave historike që shfaqen me tërheqjen e ujit të liqenit të digës, shohim se këto vepra historike kanë ruajtur për një kohë të gjatë ekzistencën dhe integritetin e tyre nën ujë dhe qëndrojnë të forta. Në Liqenin e Digës së Dicles ndodhen vepra rreth 2.400 vjeçare. Arkeologjia nënujore është një fushë e rëndësishme studimi që po zhvillohet në Turqi. Për këto vepra që kanë mbetur nën liqenin e digës mund të kryhen edhe studime të arkeologjisë nënujore".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
