Turqi, burimet ujore në Konya në nivelin më të ulët për shkak të thatësirës
Pas mungesës së reshjeve gjatë stinëve të vjeshtës, dimrit dhe pranverës, kriza e ujit e shkaktuar nga nxehtësia e verës në fushë vazhdon të pakësojë nivelet e ujërave nëntokësore

Konya
Thatësira e formuar në Fushën e Konyas në Turqi, e shkaktuar nga reshjet e pamjaftueshme dhe avullimi i shtuar për shkak të nxehtësisë ekstreme, kërcënon ekzistencën e burimeve ujore si digat, liqenet dhe pellgjet, raporton Anadolu.
Pas mungesës së reshjeve gjatë stinëve të vjeshtës, dimrit dhe pranverës, kriza e ujit e shkaktuar nga nxehtësia e verës në fushë vazhdon të pakësojë nivelet e ujërave nëntokësore.
Matjet e nivelit të marra në gusht në burimet ujore në rajon tregojnë rënie të konsiderueshme të vëllimit të ujit krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme Shtetërore për Ujin (DSI), Liqeni Beyşehir, burimi më i madh i ujërave të ëmbla në Turqi, pësoi rënie të vëllimit prej 8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar rënie të mbushjes së tij në 55 për qind. Bimët ujore kanë mbuluar sipërfaqen e liqenit për shkak të rënies së niveleve të ujit.
Diga Altinapa, një tjetër burim i rëndësishëm i ujit të pijshëm për qytetin, shënoi rënie të vëllimit prej 25 për qind ndërsa Diga e Bağbaşı-t rënie të vëllimit prej 8 për qind.
Norma e mbushjes u mat në 1 për qind në digën Apa, 6 për qind në digën Bozkır, 16 për qind në digën Bağbaşı, 8 për qind në digën Altınapa, 14 për qind në depon Çavuşcugöl dhe 9 për qind në digën İvriz.
Rënia në disa nga digat, liqenet dhe pellgjet tona është në nivel të rrezikshëm
Lektori i Fakultetit të Departamentit të Inxhinierisë Gjeologjike të Universitetit Teknik të Konyas (KTÜN), prof. dr. Fetullah Arık tha për Anadolu se një verë shumë e thatë u përjetua jo vetëm në Pellgun e Mbyllur të Konyas, por në të gjithë vendin.
Ai theksoi se ata po përjetojnë periudhën më të thatë në historinë e kohëve të fundit dhe se si pasojë, nivelet e ujit në digat, liqenet dhe pellgjet ekzistuese kanë rënë ndjeshëm.
Sipas tij, efektet e thatësirës po rriten çdo ditë në rajon. "Rënia e nivelit në disa prej digave, liqeneve dhe pellgjeve tona është në nivel të rrezikshëm të ulët, duke kërcënuar edhe mbështetjen e jetës atje. Vitin e kaluar pati edhe thatësirë dimërore. Reshjet midis shtatorit dhe prillit të vitit të kaluar ishin më të ulëtat në 30 vitet e fundit. Reshjet e kësaj vere janë më të ulëtat në 35 vitet e fundit", tha Arık.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.