Turqi, arkeologët zbulojnë skulpturë luani të lashtë 2.200 vjet
Skulptura e luanit është zbuluar gjatë gërmimeve në një kompleks në qytetin antik Assos

Çanakkale
Arkeologët turq zbuluan një statujë luani të vjetër 2.200 vjet që i përket periudhës helenistike në qytetin antik Assos në perëndim të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i ekipit gërmues, Nurettin Arslan, profesor që drejton gjithashtu departamentin e arkeologjisë në Universitetin Onsekiz Mart në Çanakkale, tha për AA se gërmimet në Assos, një nga qytetet limanore më të rëndësishme të epokës antike, kanë filluar me një ekip prej 25 personash në korrik, duke shtuar se punimet sezonale do të përfundojnë muajin e ardhshëm.
Skulptura e luanit u zbulua në gërmimet e një kompleksi që dikur ka qenë një bujtinë gjatë asaj periudhe, tha ai.
Gërmime janë zhvilluar gjithashtu në agora, ose qendra të lashta të qytetit me strukturë bizantine, shtoi Arslan.
Gjatë gërmimeve në zonë u zbulua gjithashtu një furrë prej guri 1.500-vjeçare, që daton nga periudha bizantine.
Arkeologët turq kanë kryer aktivitete arkeologjike të pandërprera në qytetin antik që nga viti 1981, pasi studiuesit amerikanë filluan punimet e tyre në zonë në vitet 1800.
Assos, që gjendet në një kodër shkëmbore me pamje nga deti Egje në provincën veriperëndimore Çanakkale, ka shërbyer si vendbanim për shumë shoqëri gjatë shekujve, ndërsa në ditët e sotme ajo është një destinacion popullor për qindra mijëra turistë çdo vit me teatrin antik, agorën, nekropolin dhe muret antike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.