Türkiye, shpellat që përngjasojnë në apartamente në Sivas presin vizitorët e tyre
Komuna Gürün, e cila spikat me shpellat shkëmbore, pasuritë historike dhe bukuritë natyrore, tërheq vëmendjen si një nga vendbanimet më të vjetra të Anadollit

Sivas
SERHAT ZAFER
Në komunat Gürün dhe Zara të qytetit turk Sivas, shpella shkëmbore me pamje apartamentesh kanë qëndruar për mijëra vjet.
Anadolu ka përpiluar informacionet rreth historisë së shpellave në qytetin Sivas.
Komuna Gürün, e cila spikat me shpellat shkëmbore, pasuritë historike dhe bukuritë natyrore, tërheq vëmendjen si një nga vendbanimet më të vjetra të Anadollit. Shpellat shkëmbore në Gürün, të rreshtuara krah për krah dhe njëra nën tjetrën në shpatin e malit, i ngjajnë një ndërtese banimi primitive me 3 dhe 5 kate.
Kryetari i Komunës së Gürün-it, Nami Çiftçi tha se shpellat shkëmbore kanë një histori rreth 4.000-vjeçare, një histori që daton që nga periudha e Hititëve. Sipas tij, në atë periudhë njerëzit kanë jetuar në këto shpella.
"Sot po ngremë ndërtesa shumëkatëshe dhe po ndërtojmë hotele. Këto ishin shtëpitë dhe hotelet e kohës. Kur imagjinojmë kushtet e asaj dite, këto shpella ishin vendi më natyral për të jetuar", tha ai.
Në lagje dhe fshatra të ndryshme të komunës gjithashtu gjenden shpella, shpjegon Çiftçi, duke treguar se si pushtet vendor bëjnë gjithçka për të promovuar këtë bukuri. "Rregulluam rrethinën e shpellës dhe vendosëm ndriçim që ta ofrojmë për turizëm", thotë Çiftçi.
Gjithashtu edhe shpellat shkëmbore Tödürge, të vendosura në fshatin Tödürge të komunës Zara, mirëpresin vizitorët në të gjitha stinët e vitit.
Në fshat ka rreth 100 shpella, të cilat janë gdhendur në shkëmbinj dhe janë përdorur si banesa shumë vite më parë. Shpellat, të cilat mendohet se janë ndërtuar afërsisht 3.200 vjet më parë për strehim dhe vendbanim, u ngjajnë pamjes së apartamenteve.