Turqia

Türkiye, një i ri i mbijeton tërmetit fal postimit në rrjetet sociale

Boran Kubat mbeti i ngujuar nën rrënoja në Malatya me nënën, gjyshen dhe dy dajtë e tij, kur rajoni u lëkund nga tërmeti i dytë

Bedrudin Brljavac  | 07.02.2023 - Përdıtësım : 07.02.2023
Türkiye, një i ri i mbijeton tërmetit fal postimit në rrjetet sociale Foto: Sercan Küçükşahin/AA

Malatya

Një student 20-vjeçar i mbijetoi tërmetit në jug të Türkiye-s, falë një postimi në rrjetet sociale që ai dërgoi teksa ishte ngujuar nën rrënojat e një ndërtese, raporton Anadolu.

Boran Kubat mbeti nën rrënoja në Malatya me nënën, gjyshen dhe dy dajtë e tij kur rajoni u lëkund nga tërmeti i dytë.

"Nuk e kishim menduar se do të ndodhte një tërmet kaq i fuqishëm pas të parit. Shkuam në shtëpi dhe ram të flemë kur ndodhi tërmeti. Papritur gjithçka u errësua ndërsa nëna ime u rrëzua pranë meje", tregon i riu për AA.

Ai vazhdon rrëfimin e tij, se si shpërndau një video në rrjetet sociale në të cilën thërret për ndihmë dhe jep vendndodhjen e saktë të shtëpisë.

"Telefonin tim e kisha me vete, kështu mendova se nëse e shpërndaja videon në rrjetet sociale, miqtë e mi mund ta shihnin dhe mund të arrinin tek ne. Kështu edhe na gjetën. Qëndrova nën rrënoja rreth 5 deri në 6 orë. Më në fund na gjetën, mua dhe nënën time. Tani po përpiqen të shpëtojnë njërin nga dajtë e mi ndërsa daja tjetër dhe gjyshja janë ende të bllokuar nën rrënoja", tha Kubat.

Boran studion në Universitetin "Nisantasi" të Istanbulit dhe erdhi në vendlindje për pushime.

"Kam ardhur në vendlindjen time pikërisht ditën kur u goditëm nga tërmeti", tha Kubat.

Sipas Agjencisë Turke të Situatave Emergjente (AFAD), të paktën 3.381 persona kanë humbur jetën dhe të paktën 20.426 të tjerë u plagosën në tërmetet që goditën dje pjesët jugore të Türkiye-s, epiqendra e të cilit ishte në provincën jugore të vendit, Kahramanmaraş.

AFAD njoftoi se nga tërmetet u shembën 5.775 ndërtesa ndërsa numri i shembjeve që janë raportuar por që ende nuk janë verifikuar është 11.302.

Më shumë se 24 mijë shpëtimtarë, personel mjekësor dhe personel tjetër janë aktualisht të dislokuar në zonat e prekura nga tërmetet shkatërruese.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın