Türkiye dënon sulmet me raketa të Indisë ndaj Pakistanit
"Sulmi nga India krijoi rrezikun e një lufte të përgjithshme", tha Ministria turke e Punëve të Jashtme, duke dënuar hapat "provokuese" dhe sulmet që shënjestrojnë civilët

Istanbul
Türkiye dënoi të mërkurën sulmet me raketa të Indisë kundër Pakistanit gjatë mbrëmjes së kaluar, transmeton Anadolu.
"Sulmi nga India krijoi rrezikun e një lufte të përgjithshme", tha Ministria turke e Punëve të Jashtme, duke dënuar hapat "provokuese" dhe sulmet që shënjestrojnë civilët.
Duke theksuar se Ankaraja po ndjek zhvillimet midis Pakistanit dhe Indisë "me shqetësim", ministria u bëri thirrje palëve të veprojnë me "logjikë të shëndoshë" dhe të shmangin "veprimet e njëanshme".
Deklarata shprehu pritjet e Ankarasë për ndërmarrjen e hapave për të ulur tensionet në rajon sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të krijuar mekanizmat e nevojshëm, përfshirë luftën kundër terrorizmit, për të parandaluar që incidente të ngjashme të ndodhin përsëri.
"Ne gjithashtu mbështesim thirrjen e Pakistanit për një hetim mbi sulmin terrorist të 22 prillit", shtoi ministria, duke iu referuar një sulmi në Kashmirin e administruar nga India.
Më parë, India tha se kishte nisur sulme natën vonë në qytete në Pakistan dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani, duke synuar "nëntë lokacione terroriste".
Rreth 31 persona, përfshirë pesë në Kashmirin e administruar nga Pakistani, u vranë dhe 46 të tjerë u plagosën në sulme, tha ushtria pakistaneze. Ajo shtoi se gjashtë vende u goditën nga raketat indiane.
Përshkallëzimi midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore vjen pas sulmit të 22 prillit në Pahalgam të Kashmirit të administruar nga India, ku u vranë 26 persona.
India akuzoi Pakistanin për sulmin, duke pretenduar se kishte lidhje ndërkufitare, por Pakistani mohoi se ka ndonjë lidhje me vrasjet.