Turqia

"Treni i bamirësisë" u nis nga Ankaraja me 750 tonë ndihma për Afganistanin

"Treni ynë përbëhet nga 47 vagonë dhe mbart gjithsej rreth 750 tonë me produkte bamirësie. Ai do të përshkojë një rrugë prej 4.168 kilometra deri në Afganistan", tha ministri i Transportit, Karaismailoğlu

Aykut Karadağ, Cüneyt Kemal Özkök  | 27.01.2022 - Përdıtësım : 27.01.2022
"Treni i bamirësisë" u nis nga Ankaraja me 750 tonë ndihma për Afganistanin foto: Raşit Aydoğan/AA

Ankara

Nga Ankaraja është nisur treni drejt Afganistanit me 750 tonë ndihma humanitare të mbledhura për popullin afgan nga 11 organizata të ndihmës nën koordinimin e Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), raporton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e nisjes së trenit me ndihma të emërtuar "Treni i bamirësisë", në binarin 1 në stacionin historik të trenit në Ankara u mbajt një ceremoni ku morën pjesë ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Adil Karaismailoğlu dhe kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), prof. dr. Ali Erbaş.

Në një fjalim në ceremoni, Karaismailoğlu tha se Turqia ndodhet pranë të gjithë atyre personave që janë të shtypur dhe në nevojë për mirësi.

"Po ashtu ajo është pranë edhe popullit mik dhe vëlla të Afganistanit", tha Karaismailoğlu i cili shtoi se "Treni ynë përbëhet nga 47 vagonë dhe mbart gjithsej rreth 750 tonë me produkte bamirësie. Ai do të përshkojë një rrugë prej 4.168 kilometra dhe do të mbërrijë në Afganistan duke kaluar në Iran dhe Turkmenistan".

Duke rikujtuar se pas linjës Baku-Tbilisi-Kars kanë filluar të punojnë edhe trenat e emërtuar si linja jugore Stamboll-Teheran-Islamabad, ministri Karaismailoğlu informoi se treni do të udhëtojë përmes këtij korridori për 16 ditë.

- "Duhet të zgjasim dorën tonë për vëllezërit tanë atje"

Ministri i Brendshëm, Soylu tërhoqi vëmendjen se në Afganistan 12.9 milionë fëmijë janë në nevojë në këto kushte me mot të ftohtë dhe se ata e kanë për nder që janë bijtë e një qytetërimi të mirësisë.

Ai tha se Turqia e cila u del në ndihmë njerëzve në situatë të vështirë në të gjithë botën dhe e cila zgjedh të qëndrojë pranë njerëzisë, në të njëjtën kohë do të jetë edhe pranë popullit afgan. "Ne nuk jetojmë në një gjeografi të rastësishme. Ne nuk jemi as një popull i vetëm. Ne kemi historinë, kulturën, besimin si dhe mësimet dhe veprimet që urdhëron besimi dhe vlerat tona. Nuk mund t'i injorojmë ato dhe do të jetë një nga gabimet më të mëdha nëse mendojmë se qetësia jonë në këtë gjeografi i përket vetëm kësaj gjeografie", tha Soylu.

"Populli turk nuk është një popull si qytetërimi perëndimor që ka pezulluar ndërgjegjen e tij", theksoi Soylu i cili shtoi më tej:

"Bota nuk përbëhet vetëm nga 2022 vite. Ajo është një vend ku do të jetohet për shekuj edhe pas nesh. Ashtu siç të parët tanë na e kanë lënë amanet një fisnikëri të madhe për të ofruar ndihmë në çdo vend të botës apo shembullin e vëllazërisë në çdo vend, edhe ne kemi përgjegjësinë dhe obligimin për ta vazhduar këtë. E theksoj duke e nënvizuar se në 4 vitet e fundit jemi vendi, populli që ka dhënë më shumë ndihma. Ndërkohë që SHBA-ja, Evropa janë më të pasur se ne. Ne jemi bijtë e një populli me zemër të madhe dhe ndjeshmëri për këtë gjë. Këtë duhet ta vazhdojmë të gjithë së bashku dhe duhet të zgjasim dorën tonë gjithmonë për vëllezërit tanë atje".

Drejtori i Përgjithshëm i Transportit të Hekurudhës Shtetërore i Republikës së Turqisë (TCDD), Hasan Pezük shpjegoi se linja hekurudhore Baku-Tbilisi-Kars dhe trenat që udhëtojnë nëpërmjet korridorit të mesëm nga Kina deri në Rusi, tashmë kanë filluar të mbërrijnë deri në Pakistan, Afganistan nëpërmjet Iranit dhe Turkmenistanit.

"Treni i ndihmës pas Turqisë, në drejtim të Iranit, Turkmenistanit do të mbërrijë në Afganistan pas një udhëtimi prej 4.168 kilometrash", tha Pezük, i cili shtoi se "Jemi shumë të lumtur dhe krenar që si familje e TCDD jemi të përfshirë në këtë organizim dhe që ndihmojmë popullin vëlla të Afganistanit. Do të vazhdojmë përpjekjet tona për shumuar miqësinë, vëllazërinë, mirësinë e hekurudhës mes vendeve të rajonit. 'Treni i bamirësisë' përbën shembullin më të mirë të kësaj".

- Treni me ndihma

Treni me ndihma i emërtuar "Treni i bamirësisë" përbëhet nga 46 vagonë dhe transporton 750 tonë ndihma humanitare të përbëra nga ushqime, veshje, batanije, produkte shëndetësore dhe higjienike të cilat janë përgatitur për popullin afgan nën koordinimin e Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD) nga organizatat e ndihmës, përfshirë Gjysmëhënën e Kuqe Turke, Fondacionin Diyanet të Turqisë, Fondacionin IHH, shoqatat e ndihmës "Deniz Feneri", "Beşir", "Hayrat", "Sadakataşı", Fondacionin "Aziz Mahmud Hüdayi" si dhe shoqatat "Yedi Başak", ANDA dhe "Umuda Koşanlar".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın