Turqia

"Steel Dome" i Turqisë po zhvillohet për të përmbushur të gjitha nevojat e mbrojtjes ajrore

Shefi i kompanisë zhvilluese, Ikinci tha se "Steel Dome" është ndër programet më kritike të mbrojtjes së Turqisë ndërsa numri i tyre dhe kapaciteti i prodhimit duhet të rriten me shpejtësi

Mehmet Emin Gürbüz  | 27.03.2026 - Përdıtësım : 27.03.2026
"Steel Dome" i Turqisë po zhvillohet për të përmbushur të gjitha nevojat e mbrojtjes ajrore

Bolu

Sistemi i mbrojtjes ajrore "Steel Dome", i zhvilluar në vend nga Turqia, sipas drejtorit ekzektuvit të kompanisë zhvilluese Roketsan, Murat Ikinci, po ndërtohet me kapacitete të reja për të përmbushur të gjitha nevojat e sigurisë së vendit.

Duke folur për Anadolu, Ikinci tha se "Steel Dome" përfaqëson arkitekturë të mbrojtjes ajrore në zhvillim, e cila do të vazhdojë të përditësohet me kapacitete dhe teknologji të reja për të adresuar kërcënimet në shfaqje.

"Ai përfaqëson një infrastrukturë në të cilën do të shtojmë vazhdimisht kapacitete, do të integrojmë teknologji të reja dhe do të zhvillojmë masa kundër kërcënimeve të reja. Mund të them se po punojmë që ai të jetë në gjendje të përmbushë të gjitha nevojat e mbrojtjes ajrore të vendit tonë", tha Ikinci.

Ai tha se Roketsan po vazhdon me prodhimin në masë në një gamë të gjerë sistemesh, nga raketat kundërtanke te raketat e lundrimit, raketat kundër anijeve, raketat balistike dhe raketat e mbrojtjes ajrore. Ikinci shtoi se raketat balistike zënë një vend të rëndësishëm në portofolin e kompanisë, duke theksuar se prodhimi dhe dorëzimet e raketës balistike TAYFUN dhe raketës së lundrimit SOM po vazhdojnë.

"Po punojmë pa ndërprerje. Aktivitetet e prodhimit në Roketsan vazhdojnë pa u ngadalësuar", tha ai. Sipas tij, kompania synon të zgjerojë me shpejtësi kapacitetin ekzistues të prodhimit përmes investimeve të reja, duke theksuar se kushtet aktuale rajonale e bëjnë të domosdoshme një përpjekje të tillë.

"Po përpiqemi me gjithë forcën tonë si për të forcuar mbrojtjen e vendit tonë, ashtu edhe për të përshpejtuar prodhimin në këtë fushë", tha ai. Ikinci theksoi se sistemet e mbrojtjes ajrore të zhvilluara nga vetë vendet janë shumë të vlefshme, duke e përshkruar "Steel Dome" si një nga projektet më të rëndësishme të mbrojtjes së Turqisë.

"'Steel Dome' është një sistem që e kemi zhvilluar vetë. Ai po zhvillohet bashkërisht nga Aselsan, Roketsan dhe TUBITAK SAGE", tha ai.

"Fakti që ne po prodhojmë të gjithë komponentët e 'Steel Dome' vetë na jep mundësinë të prodhojmë sa raketa, sisteme radarësh dhe sisteme baterish të na nevojiten, kurdo që të na duhen", shtoi ai.

"Nga kjo perspektivë 'Steel Dome' është ndër programet më kritike të mbrojtjes së Turqisë dhe numri i tyre si dhe kapaciteti i prodhimit duhet të rriten me shpejtësi", tha Ikinci duke shtuar se "Po bëjmë përpjekje serioze për të përshpejtuar prodhimin".

"Mbrojtja ajrore është një fushë veçanërisht e vështirë, duke shtuar se asnjë vend nuk mund të pretendojë se ka ndërtuar sistemin më të mirë dhe e ka përfunduar punën. Ne vazhdojmë duke shtuar kapacitete dhe veçori të reja në përputhje me karakteristikat dhe profilet e kërcënimeve që ndryshojnë", tha ai.

Ai theksoi se ROKETSAN ka numër të madh projektesh në zhvillim dhe se shumë sisteme, nga raketat e mbrojtjes ajrore te raketat ajër-ajër dhe raketat e reja balistike do të prezantohen gradualisht në vitin 2026 dhe më tej.

"Steel Dome" është arkitekturë e integruar e mbrojtjes ajrore me shtresa e Turqisë, që bashkon radarë, raketa, sisteme të luftës elektronike dhe sisteme komanduese të zhvilluara në vend për të mbrojtur hapësirën ajrore nga kërcënime në lartësi dhe distanca të ndryshme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.