Turqia

"Siguria juridike është parim në planin e ri të të drejtave të njeriut"

Në deskun editorial të AA-së, Gül tha se Plani i Veprimit për të Drejtat e Njeriut është një kujtesë jo vetëm për gjykatat, gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe për publikun në çdo fushë

Aylin Dal  | 03.03.2021 - Përdıtësım : 03.03.2021
"Siguria juridike është parim në planin e ri të të drejtave të njeriut" ( Mustafa Murat Kaynak - Anadolu Agency )

Ankara

Ministri turk i Drejtësisë, Abdulhamit Gül, ka deklaruar se siguria juridike është "parimi më i rëndësishëm" në planin e ri të veprimit për të drejtat e njeriut në Turqi, i cili është hartuar si përgjigje ndaj dëshirave dhe nevojave të publikut turk, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deskun editorial të AA-së, ministri Gül tha se Plani i Veprimit për të Drejtat e Njeriut është një kujtesë jo vetëm për gjykatat, gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe për publikun në çdo fushë.

"Meqenëse ka të bëjë me të gjithë qytetarët tanë, ne kemi punuar për këtë çështje me të gjitha segmentet e shoqërisë", tha Gül.

Dje, Turqia njoftoi planin e ri të veprimit për të drejtat e njeriut, i cili ka 11 parime kryesore të vendosura për t'u realizuar gjatë dy viteve.

Plani i ri i veprimit është një hap në rrugën e reformave që partia në pushtet, ajo për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), ka kryer në vazhdimësi dhe pa ndërprerje që nga dita e themelimit të saj në vitin 2001.

"Ky nuk është një tekst ligjor, por një dokument i vullnetit të mirë", tha ministri Gül, duke shtuar se nuk është një tekst vetëm për partitë politike, por edhe për gjithë popullin.

Në lidhje me kritikët e planit, ai tha se ata do të shqyrtojnë të gjitha argumentet "me shumë kujdes" dhe do t'i trajtojnë ato si kritika konstruktive dhe serioze.

Më tej, duke iu referuar ndryshimeve në partitë politike dhe legjislacionin zgjedhor, ai tha se pragu zgjedhor "nuk ka më kuptim".

Pragu zgjedhor në Turqi është 10 për qind, vota të cilat duhet t'i sigurojnë partitë politike që pretendojnë vende në parlamentin turk.

Plani i veprimit për të drejtat e njeriut është dokumenti kryesor i politikës për Turqinë përderisa vendi po përgatitet të shënojë 100-vjetorin e themelimit. Dokumenti thekson të drejtat e pronës, përgjegjësitë penale individuale dhe prezumimin e pafajësisë duke rritur po ashtu edhe transparencën, përgjegjësinë, pavarësinë dhe objektivitetin e gjyqësorit.

"Qytetarët tanë meritojnë më të mirën"

Duke iu referuar kërkesës së Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), ministri turk tha se pavarësisht nga qasja e BE-së vendi do të vazhdojë të zbatojë reformat me qëndrimin se "qytetarët tanë meritojnë më të mirën".

Ai theksoi se Turqia ka bërë "përgatitje të rëndësishme" për t'u liruar nga vizat e BE-së, duke shtuar se nëse BE-ja "sinqerisht" kontribuon në këtë proces do të arrihen rezultate pozitive.

Marrëveshja e vitit 2016 mundësoi përshpejtimin e ofertës së anëtarësimit të Turqisë në BE dhe udhëtimin pa viza për shtetasit turq brenda zonës Shengen.

Pavarësisht statusit të saj të kandidatit për në BE, progresi i Turqisë drejt pranimit është bllokuar për vite me radhë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın