Shpikësi turk ndihmon të verbërit me "bastun të mençur"
Bastuni i mençur WeWalk, i zhvilluar dhe i prodhuar në Turqi, u radhit si njëra nga shpikjet më të mira të vitit 2019 nga revista "Time"

Stamboll
HANDAN KAZANCI
I tronditur nga një aksident në qytetin New York, plagët e të cilit janë ende të dukshme mbi kokën e tij, një i verbër nga Turqia e shndërroi aksidentin e tij të rastësishëm në një mundësi për të ndihmuar miliona.
Udhëzimi me navigacion nëpër rrugët e New York-ut përderisa tërheq një valixhe, si dhe mbajtja e një shkopi për të ecur dhe celular për udhëzim, ishte e tepërt, rrëfen Kürşat Ceylan.
Pasi godita një shtyllë të ndriçimit rrugor, "reflektivisht vura dorën në fytyrë, dhe oh, fytyra ishte me të vërtetë e gjakosur", i tha ai një auditori në Berlin vitin e kaluar.
Por ai lëndim i kokës ishte fillimi i një shpikjeje për të ndihmuar 280 milion njerëz me vështirësi në shikim në mbarë globin: WeWalk, ndoshta bastuni i parë i mençur në botë.
I radhitur si një nga shpikjet më të mira të vitit 2019 nga revista "Time", WeWalk u mundëson njerëzve me vështirësi në shikim të ecin në mënyrë më të sigurt duke përdorur teknologjinë më të re.
"Njerëzit me vështirësi në shikim për vite me radhë kanë përdorur një bastun të bardhë, që në fakt është thjesht një shkop", thotë për Anadolu Agency (AA) 33-vjeçari Ceylan, bashkëthemeluesi i WeWalk.
"Ne mund të zbulojmë shumë pengesa përpara (me një bastun të thjeshtë) posaçërisht në nivelin e tokës si shkallët ose vrimat", tha ai. "Por ne nuk mund të zbulojmë pengesa në nivelin e gjoksit ose kokës si pemët dhe shenjat në rrugë".
WeWalk ndryshon gjithçka duke paralajmëruar njerëzit e verbër kur ka një pengesë përpara duke bërë një tingull ose duke vibruar.
Pajisja peshon 252 gramë dhe ka gjatësi prej rreth 30 centimatrave. Ajo përmban një touchpad dhe ndërfaqja e saj është e pajisur me disa gjuhë, duke përfshirë anglisht, turqisht, portugalisht, arabisht, dhe shumë shpejt do të përfshijë gjuhët spanjolle dhe frenge.
Bastuni i mençur i integruar me autobusët e Stambollit
"Teknologjia po zhvillohet shpejt dhe tani ne kemi transferuar këtë teknologji në shkopat e bardha", tha Ceylan. "Kështu që kur të verbrit janë duke ecur, ata mund të kërkojnë nga navigacioni për t'i dërguar kudo që dëshirojnë të shkojnë, ose mund të mësojnë se cili autobus po afrohet në stacionin e autobusit atje ku janë duke pritur."
Bastuni i mençur është integruar tashmë me shërbimin e transportit publik në metropolin turk me 15 milionë banorë, Stamboll, si dhe me hartat e Google dhe ndihmësin me zë.
Bastuni elektronik shitet për 1.990 lira turke (rreth 310 euro) dhe në të ardhmen do të jetë i integruar me aplikacionet e udhëtimeve dhe qytetet e zgjuara.
Njerëzit me vështirësi në shikim nga dhjetëra shtete, përfshirë SHBA-të, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Brazilin, kanë blerë tashmë bastunët e rinj të mençur, tha Ceylan.
"Në shumë vende, pushteti qendror apo lokal po ua mundëson këto teknologji njerëzve me vështirësi në shikim dhe ne presim fillimin e diçkaje të ngjashme në Turqi", shtoi ai, duke shtuar se edhe reagimet nga përdoruesit gjithashtu kanë qenë shumë pozitive.
Ekipi i WeWalk së fundmi mori një email nga një mësues irlandez që humbi shikimin disa vjet më parë, i cili ka thënë se me ndihmën e bastunit të mençur është në gjendje të vazhdonte jetën e tij shoqërore.
Produktet që do të vijnë
WeWalk nuk është produkti i vetëm i ekipit.
Ceylan dhe kolegët e tij po prodhojnë teknologji për njerëzit me vështirësi në shikim tanimë për një dekadë.
Deri më tani ata kanë prodhuar një sistem të brendshëm navigimi dhe një sistem të përshkrimit me zë të filmave për të ndihmuar personat me vështirësi në shikim.
Pasi u nderua nga revista "Time", Ceylan thotë se "kjo na bën shumë të kënaqur si prodhues të teknologjisë nga Turqia".
"Ne e zhvilluam këtë teknologji vetëm në Turqi dhe e prodhuam bastunin në Turqi me mbështetjen e Vestel", shtoi ai, duke iu referuar prodhuesit turk të pajisjeve të amvisërisë.
"Na pëlqen shumë të jemi një frymëzim për botën, si një histori suksesi nga Turqia", thotë Ceylan.
Tani ekipi i WeWalk është duke punuar në një projekt që do të njoftojë njerëzit me vështirësi në shikim për dyqanet, kafenetë dhe restorantet në afërsi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.