Turqia

Shitjet e makinave elektrike në Turqi dyfishohen në periudhën janar-nëntor

Katër nga çdo 10 automjete të shitura në Turqi në periudhën janar-nëntor ishin elektrike ose hibride

Emirhan Yılmaz  | 03.12.2025 - Përdıtësım : 03.12.2025
Shitjet e makinave elektrike në Turqi dyfishohen në periudhën janar-nëntor

Stamboll

Shitjet e makinave elektrike në Turqi janë dyfishuar që nga janari, duke arritur gjithsej 166.665 njësi deri në nëntor, nga 83.298 një vit më parë, transmeton Anadolu.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Distributorëve të Automjeteve dhe Mobilitetit (ODMD), gjatë periudhës janar-nëntor në Turqi u shitën gjithsej 442.650 makina me benzinë, 251.992 makina hibride, 69.741 makina me naftë dhe 7.399 makina me gaz të lëngshëm (LPG).

Gjatë të njëjtës periudhë u shitën 164.665 makina plotësisht elektrike dhe kur përfshihen makinat elektrike me gamë të zgjeruar, totali arriti në 166.665 njësi, duke përbërë 17.8 për qind të tregut të makinave në Turqi.

Ndërkohë, shitjet e makinave me benzinë dhe naftë vazhduan të shënojnë rënie. Të dhënat tregojnë se shitjet e makinave me benzinë ranë 15.5 për qind në 11 muajt e parë të vitit ndërsa ato me naftë ranë 18.8 për qind.

Në të njëjtën kohë, shitjet e makinave me LPG u rritën 33.9 për qind, ato hibride 71.3 për qind dhe makinat plotësisht elektrike u rritën 111.4 për qind. Ndërsa prodhuesit global po ndalojnë prodhimin e makinave me naftë, nuk po ofrohen makina të reja me naftë në treg, prandaj shitjet e tyre janë në rënie.

Shitjet e makinave me benzinë përbënin 47.2 për qind të tregut të makinave në Turqi në periudhën janar-nëntor, duke rënë nga 62 për qind një vit më parë ndërsa pjesa e makinave me naftë ra nga 10.1 në 7.4 për qind dhe makinat me LPG përbënin 0.8 për qind të tregut.

Pjesa e tregut e makinave plotësisht elektrike u rrit nga 9.2 për qind në 17.6 për qind dhe e makinave hibride nga 17.4 për qind në 26.9 për qind gjatë të njëjtës periudhë, ndërsa të gjitha makinat elektrike, përfshirë plotësisht elektriket, ato me gamë të zgjeruar dhe hibride, përbënin 44.7 për qind të tregut me 418.657 njësi.

Katër nga çdo 10 makina të shitura në Turqi në periudhën janar-nëntor ishin elektrike ose hibride. Shitjet e hibrideve arritën 42.857 njësi gjatë të njëjtës periudhë, duke përbërë 4.6 për qind të tregut dhe shënuan një rritje prej 658.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në nëntor, u shitën 17.892 makina plotësisht elektrike, duke përbërë 17.1 për qind të tregut të automjeteve në Turqi ndërsa u blenë 32.263 makina hibride nga klientët, duke shënuar një pjesë tregu prej 30.8 për qind.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.