Turqia

Roli kyç i Turqisë në tregtinë globale theksohet në forumin e transportit në Stamboll

Duke e pozicionuar Turqinë si një “partner të besueshëm dhe të detyrueshëm”, Fidan theksoi avantazhin gjeografik të vendit në kryqëzimin e Evropës, Azisë dhe Afrikës, si dhe kapacitetin e fuqishëm tregtar dhe angazhimin ndaj stabilitetit rajonal

Seda Sevencan  | 27.06.2025 - Përdıtësım : 28.06.2025
Roli kyç i Turqisë në tregtinë globale theksohet në forumin e transportit në Stamboll

Stamboll

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, ka bërë thirrje për një bashkëpunim më të madh për të rritur lidhjet globale tregtare, si dhe ka theksuar pozicionin strategjik dhe angazhimin e Turqisë për zhvillimin e infrastrukturës në Forumin Global për Lidhjet e Transportit në Stamboll, raporton Anadolu.

“Ne duhet sot të punojmë së bashku, më shumë se kurrë, për iniciativa alternative për të nxitur besimin dhe për të siguruar më shumë parashikueshmëri në tregtinë ndërkombëtare”, tha Fidan në këtë ngjarje.

Duke e pozicionuar Turqinë si një “partner të besueshëm dhe të detyrueshëm”, Fidan theksoi avantazhin gjeografik të vendit në kryqëzimin e Evropës, Azisë dhe Afrikës, si dhe kapacitetin e saj të fuqishëm tregtar dhe angazhimin e gjatë ndaj stabilitetit rajonal.

Ai theksoi se Turqia nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan gjatë dy dekadave të fundit ka investuar pothuajse 200 miliardë dollarë në infrastrukturë, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjet rajonale dhe globale.

“Lidhshmëria e pandërprerë është një nga prioritetet tona. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim projekte që ndërtojnë ura, si në kuptimin e mirëfilltë ashtu edhe në atë metaforik, midis Turqisë dhe partnerëve të saj në botë”, tha Fidan.

Siç tha ai, “Korridori i Mesëm Trans-Kaspik Lindje Perëndim, i cili lidh Kinën përmes Azisë Qendrore, Kaspikut dhe Turqisë me Evropën, është rruga më efikase për këtë qëllim”.

“Do të ketë një rol të madh në lidhjen e transportit në periudhën e ardhshme, duke krijuar një situatë të favorshme për të gjitha palët e interesuara”, shtoi ai.

- Rruga e Zhvillimit

Fidan theksoi rëndësinë e Korridorit të Mesëm për t’u përballur me rreziqet në rritje gjeopolitike që vijnë nga lufta Rusi-Ukrainë dhe paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme.

“Korridori i Mesëm paraqet një mundësi për zhvillim ekonomik dhe diversifikim të tregtisë për vendet përgjatë kësaj rruge. Ai gjithashtu garanton transportimin e mallrave me shpejtësi dhe efikasitet rekord”, tha ai.

Duke theksuar se hekurudha Baku-Tbilisi-Kars është një komponent i rëndësishëm i Korridorit të Mesëm, ai tha se “ky është rezultat i bashkëpunimit shembullor trepalësh mes Turqisë, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë.”

Ai gjithashtu theksoi përparimin e fundit në përputhjen e Korridorit të Mesëm me iniciativën kineze “Një Brez, Një Rrugë” (BRI), duke shprehur shpresën për një bashkëpunim më të thelluar me Pekinin “bazuar në përfitimin e ndërsjellë”.

Fidan foli edhe për një projekt të dytë strategjik, Rrugën e Zhvillimit, që synon krijimin e një aks veri-jug nga Gjiri në Evropë përmes Irakut dhe Turqisë.

“Ky projekt, i cili do të nisë nga një port në Irak, do të përfshijë ndërtimin e hekurudhave, rrugëve dhe linjave të energjisë përmes Irakut drejt Turqisë dhe nga Turqia drejt Evropës. Të dy projektet, si Korridori i Mesëm ashtu edhe Rruga e Zhvillimit, do të forcojnë lidhjet dhe do të kontribuojnë në mirëqenie përmes rritjes së tregtisë, investimeve të përbashkëta dhe krijimit të vendeve të reja të punës përgjatë këtyre rrugëve”, tha Fidan.

Ministri turk përsëriti qëllimin e politikës së jashtme të Turqisë për të krijuar një “rrip paqeje, mirëqenieje dhe stabiliteti,” duke theksuar se, “Mirëqenia ndikon pozitivisht në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit. Prandaj ne i konsiderojmë rrugët e transportit në një kuptim më të gjerë, si plotësuese ndaj njëra-tjetrës në botën e sotme, ku vëllimi i tregtisë globale është në rritje”.

Duke theksuar partneritete të reja, Fidan tha se Turqia së fundmi është bërë një partnere strategjike në Nismën e Tre Deteve, të cilën e përshkroi si një “forcë transformuese” për kohezionin evropian dhe zhvillimin rajonal.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve në lidhjen rajonale si një faktor ndërtimi të besimit mes vendeve.

“Bashkëpunimet hapin derën për shumë nisma dhe projekte të reja. Në fund të fundit, korridoret e transportit dhe energjisë janë, sipas përkufizimit, të mundshme vetëm përmes bashkëpunimit ndërmjet vendeve, si dhe ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Dua të theksoj se Turqia është e përkushtuar ndaj këtij qëllimi. Ne jemi të vendosur të investojmë në infrastrukturën tonë dhe të miratojmë rregulloret e nevojshme për të lehtësuar qarkullimin e mallrave. Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e fqinjëve dhe partnerëve tanë”, tha ministri turk.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.