Turqia, Shkencë dhe Teknologji

Projekti i portit hapësinor i Turqisë do të forcojë pavarësinë e saj në hapësirë

Plan me 3 faza për ndërtimin e një porti hapësinor në Somali, pranë ekuatorit, që do t'i mundësojë Turqisë të lançojë satelitët e saj vendorë me kapacitete kombëtare

Zeynep Duyar  | 01.01.2026 - Përdıtësım : 01.01.2026
Projekti i portit hapësinor i Turqisë do të forcojë pavarësinë e saj në hapësirë

Ankara

Turqia po përgatitet të krijojë infrastrukturën e saj të lançimit duke ndërtuar një port hapësinor në Somali, me synimin për të forcuar pavarësinë në industrinë hapësinore dhe për t'u shndërruar në një portë alternative drejt hapësirës.

Strategjia e aksesit të pavarur në hapësirë në kuadër të Programit Kombëtar Hapësinor të Turqisë ka dhënë "dritën jeshile" për ndërtimin e një porti hapësinor në Somali.

Astrofizikani Umut Yildiz i tha Anadolu-s se ky projekt i ofron vendit shumë mundësi të rëndësishme.

Projekti i portit hapësinor u njoftua nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ndërsa më pas ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Fatih Kacir dha detaje shtesë mbi projektin.

Yildiz theksoi se zgjedhja e një lokacioni pranë ekuatorit është thelbësore për lëshimin e raketave, duke kujtuar se Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA) përdor Guajanën Franceze si qendër lançimi.

"Kjo sepse shpejtësia rrotulluese e Tokës është më e larta në ekuator, kështu që raketat marrin një shtytje shtesë gjatë lëshimit dhe kanë nevojë për më pak karburant për të dërguar raketa të mëdha në orbitë", tha ai duke shtuar: "Somalia është një lokacion shumë i përshtatshëm për efikasitetin e karburantit".

Ai vuri në dukje se raketat zakonisht lëshohen drejt detit ose oqeanit për të ulur rreziqet. "Në veri të Turqisë ndodhen Ukraina dhe Rusia përtej Detit të Zi, ndërsa në jug janë Administrata Greke e Qipros Jugore dhe Izraeli, ndaj lëshimet e rregullta mund të krijojnë rreziqe për këto vende", tha Yildiz.

"Edhe pse ka disa shqetësime për sigurinë në Somali, mund të supozohet se siguria do të sigurohet, pasi Turqia tashmë ka një bazë ushtarake atje", tha ai.

Turqia e ka zgjedhur Somalinë për portin hapësinor për disa arsye, përfshirë kushtet e favorshme klimatike që lejojnë lëshime gjatë gjithë 12 muajve të vitit si dhe dendësinë e ulët të trafikut ajror dhe detar.

Projekti do t'i mundësojë Turqisë të bëhet një nga vendet që zotërojnë infrastrukturë të pavarur për lëshimin e satelitëve, me koordinimin e Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë dhe kontributin e institucioneve përkatëse, veçanërisht të Agjencisë Hapësinore Turke (TUA).

Turqia do të zhvillojë gjithashtu mjete hapësinore vendore për të garantuar sovranitetin në teknologjitë kritike hapësinore.

Infrastruktura, nën-sistemet dhe pajisjet për teknologjitë hapësinore do të prodhohen brenda vendit, ndërsa qendra e planifikuar e lëshimit do të hapet për përdorim komercial në fazën e ardhshme të projektit. Kjo strukturë do t'i shërbejë edhe sektorit privat dhe do të shndërrohet në një burim të rëndësishëm të ardhurash.

Satelitët vendorë fillimisht do të lëshohen në orbitën e ulët të Tokës dhe në orbitën gjeosinkrone ndërsa në të ardhmen kjo qendër do të plotësojë edhe nevojat e klientëve ndërkombëtarë, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e Somalisë.

Porti hapësinor do të jetë pjesë e një ekosistemi të qëndrueshëm dhe konkurrues industrial vendas për Turqinë, duke eliminuar varësinë e jashtme në fusha kritike si motorët e raketave, teknologjitë e karburantit, sistemet e shtytjes, materialet e teknologjisë së lartë, avionika dhe infrastruktura mbështetëse tokësore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın