Turqia

Presidenti turk zotohet për mbështetje për homologun e tij sirian, kundërshton ndarjen e vendit

"Në një kohë kur edhe aktorë të papritur po bashkohen në Siri, është thelbësore t'i shpjegohet botës se Izraeli po pengon përpjekjet për të rivendosur stabilitetin", tha Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan

Seda Sevencan, Efe Özkan, Beril Çanakcı  | 21.07.2025 - Përdıtësım : 21.07.2025
Presidenti turk zotohet për mbështetje për homologun e tij sirian, kundërshton ndarjen e vendit

Stamboll

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka përsëritur mbështetjen për homologun e tij sirian, Ahmed al-Sharaa, duke hedhur poshtë ndarjen në Siri dhe e ka quajtur rimëkëmbjen e vendit të shkatërruar nga lufta të dobishme për Turqinë, raporton Anadolu.

"Në një kohë kur edhe aktorë të papritur po bashkohen në Siri, është thelbësore t'i shpjegohet botës se Izraeli po pengon përpjekjet për të rivendosur stabilitetin", u tha Erdoğan gazetarëve në fluturimin e tij të kthimit nga Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) të dielën vonë.

Ankaraja ka mbështetur sistemin kalimtar në Siri të udhëhequr nga Presidenti Ahmed al-Sharaa, i cili mori pushtetin pas rënies së regjimit të Asadit në dhjetor 2024.

Lidhur me armëpushimin në Suwayda të Sirisë, qyteti ku kohët e fundit pati përleshje midis fiseve beduine dhe pakicës druze dhe më vonë një ndërhyrje nga Izraeli, Erdoğan tha se homologu i tij sirian ka mbajtur një qëndrim të vendosur, pa shenja kompromisi deri më tani.

"Izraeli nuk dëshiron stabilitet në rajon. Ai beson se një Siri e bashkuar nuk do të ishte e mirë për të dhe vazhdon provokime të tilla", tha ai.

Lidhur me çështjen e Qipros, presidenti turk tha se nuk ka plane për të vizituar Qipron Jugore, duke theksuar: "Ashtu siç ata nuk e njohin TRNC-në si shtet, ne nuk e njohim Qipron Jugore si shtet."

Ai përsëriti se çelësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Qipros qëndron në një zgjidhje me dy shtete, pa "kompromis" për këtë qëndrim.

"Ndërmarrim hapa me Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë për blerjen e avionëve luftarakë. Britania e Madhe dhe Gjermania po tregojnë qasje pozitive ndaj kësaj çështjeje", tha Erdoğan mbi shitjen e avionëve Eurofighter në Turqi.

Ai tha se Bashkimi Evropian (BE) nuk duhet të presë as edhe një ditë për të ringjallur dhe çuar përpara negociatat e pranimit të Turqisë.

Lidhur me luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, Erdoğan tha se beson që populli i Gazës nuk do të dorëzohet, duke theksuar se "Izraeli po sulmon si një përbindësh i çmendur dhe do të shkatërrojë veten në këtë tërbim".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.