Presidenti i Turqisë, Erdoğan: Politikat gjithnjë e më agresive të Izraelit kërcënojnë paqen rajonale
"Nuk mund ta braktisim kauzën palestineze dhe as të heshtim ndërsa qeveria e Netanyahut po e kthen rajonin në pellg gjaku", tha Erdoğan gjatë fjalimit në samitin e 17-të të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik (ECO)

Stamboll
Politikat gjithnjë e më agresive të Izraelit nën administratën e tij aktuale po kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.
Vlerësimet e tij erdhën gjatë fjalimit të tij në samitin e 17-të të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik (ECO) në qytetin Khankendi të Azerbajxhanit.
"Nuk mund ta braktisim kauzën palestineze dhe as të heshtim ndërsa qeveria e Netanyahut po e kthen rajonin në pellg gjaku", tha ai.
Duke folur për Afganistanin ai tha se "Besojmë se duhet të mbështesim sigurinë, paqen dhe zhvillimin e njerëzve në Afganistan."
Gjithashtu duke iu drejtuar vendeve pjesëmarrëse në samitin ECO, Erdoğan bëri thirrje për lidhje më të forta me qipriotët turq në sport, kulturë, ekonomi dhe turizëm
Ndërkaq për çështjen e energjisë së pastër, presidenti turk tha se me Planin Kombëtar të Veprimit për Efikasitetin e Energjisë për vitet 2024-2030, parashikojnë uljen e emetimeve ekuivalente të dioksidit të karbonit me 100 milionë tonë.
Erdoğan gjithashtu tha se Projekti Zero Mbeturina shton forcë shtesë në luftën kundër ndryshimeve klimatike
"Që nga fillimi i saj, ne kemi parandaluar afërsisht 6 milionë tonë emetime të gazrave serrë", shtoi Erdoğan.
Samiti po mbahet nën temën "Vizioni i ri i ECO-s për një të ardhme të qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.