Presidenti Erdoğan shënon Ditën Botërore Humanitare, thekson shqetësimet urgjente humanitare
"Sot, realiteti i ashpër me të cilin përballemi në Ditën Botërore Humanitare është se mbi 300 milionë njerëz nuk kanë qasje në nevojat e tyre më themelore humanitare", shkroi Erdoğan për "El Pais"

Stamboll
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, shënoi të martën Ditën Botërore Humanitare me një artikull si i ftuar special, ku përshkruhej diplomacia humanitare e Turqisë dhe aleanca e saj e palëkundur me Spanjën, transmeton Anadolu.
E botuar nga e përditshmja spanjolle "El Pais", rubrika me titull "Ndjeshmëri përtej kufijve: Aleanca e Qytetërimeve dhe Diplomacisë Humanitare", tërhoqi vëmendjen ndaj krizave globale humanitare, mobilizimit të Turqisë për të luftuar këto çështje dhe objektivave të saj të përbashkëta me Spanjën.
"Sot, realiteti i ashpër me të cilin përballemi në Ditën Botërore Humanitare është se mbi 300 milionë njerëz nuk kanë qasje në nevojat e tyre më themelore humanitare. Kjo është një e vërtetë që shqetëson ndërgjegjen e njerëzimit, duke i kërkuar të gjithë botës të veprojë me përgjegjësi", shkroi Erdoğan.
Erdoğan vuri në dukje se Turqia deri më tani ka ofruar mbi 101.000 tonë ndihmë humanitare në Gaza dhe ka kryer një mobilizim humanitar me vlerë më shumë se 40 milionë dollarë në mbështetje të UNRWA-s, agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë.
Duke theksuar se ndihma humanitare është forma më e avancuar e diplomacisë, që buron nga një ndjenjë e thellë empatie dhe humanizmi, Erdoğan theksoi se si Turqia dhe Spanja janë të bashkuara në trajtimin e çështjeve humanitare "si dy kombe miqësore dhe aleate të palëkundura".
"Fryma e solidaritetit i bashkon dy popujt në një lidhje të thellë që tejkalon kufijtë gjeografikë. Është bindja jonë e fortë se duke bashkëpunuar në përputhje me këto parime të përbashkëta, ne do të krijojmë një botë më të drejtë të fokusuar te njerëzimi dhe vlerat e tij", shkroi ai.
Presidenti turk vlerësoi gjithashtu mbështetjen e sinqertë të Spanjës për procesin e pranimit të Turqisë në BE dhe për 20-vjetorin e Aleancës së Qytetërimeve - një iniciativë e OKB-së e nënshkruar bashkërisht nga Erdoğan dhe kryeministri i atëhershëm spanjoll Jose Luis Rodriguez Zapatero, duke thënë: "Njohja jonë e diversitetit si burim pasurie dhe jo konflikti ofron një mesazh shprese dhe solidariteti për njerëzit e shtypur gjatë kohës së krizës globale".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.