Turqia

Presidenti Erdogan pret në takim ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit

Duke shprehur kënaqësinë për mbajtjen e takimit të dytë të Platformës së Paqes në Ballkan në Stamboll, Erdogan falënderoi përfaqësuesit e vendeve për kontributet e tyre

Esra Tekin  | 23.01.2026 - Përdıtësım : 23.01.2026
Presidenti Erdogan pret në takim ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit

Stamboll

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit diskutuan të premten marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale në një takim të mbajtur në Stamboll, raporton Anadolu.

Në takim morën pjesë ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, si dhe zëvendësministrja e Jashtme e Serbisë, Nevena Jovanoviq, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë.

Duke shprehur kënaqësinë për mbajtjen e takimit të dytë të Platformës së Paqes në Ballkan në Stamboll, Erdogan falënderoi përfaqësuesit e vendeve për kontributet e tyre.

Erdogan theksoi rëndësinë e trajtimit të çështjeve si siguria kufitare, energjia, teknologjia dhe transporti, si dhe konsultimet e zhvilluara me një ndjenjë përgjegjësie rajonale.

Duke vënë në dukje se si bota ashtu edhe rajoni po përballen me sfida të ndryshme, Erdogan tha se forcimi i solidaritetit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mes vendeve anëtare të Platformës së Paqes në Ballkan ka marrë rëndësi të veçantë.

Ai nënvizoi domosdoshmërinë e veprimit të përbashkët “me një qasje që mëson nga dhimbjet e së kaluarës dhe synon drejt së ardhmes” në Ballkan, duke përmendur gjithashtu përpjekjet e Turqisë për të zbutur dhe për t’i dhënë fund pasojave të paqëndrueshmërisë në rajon, si dhe vazhdimin e nismave të përqendruara në paqe në shumë vende, veçanërisht në Ukrainë, Gaza dhe Siri.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Jashtëm Hakan Fidan, drejtori i Komunikimeve Burhanettin Duran, këshilltari kryesor i presidentit Akif Cagatay Kilic, si dhe zyrtarë të tjerë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın