Presidenti Erdoğan pret në takim kreun e NATO-s, Mark Rutte
Në takimin Erdoğan-Rutte, janë trajtuar marrëdhëniet Turqi-NATO, zhvillimet rreth luftës Ukrainë-Rusi si dhe çështjet rajonale dhe globale
Ankara
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan priti në një takim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, raporton Anadolu.
Takimi Erdoğan-Rutte u mbajt në rezidencën presidenciale në Ankara me dyer të mbyllura për mediat.
Pas takimit Kryesia e Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë njoftoi se në takimin Erdoğan-Rutte, janë trajtuar marrëdhëniet Turqi-NATO, zhvillimet rreth luftës Ukrainë-Rusi si dhe çështjet rajonale dhe globale.
Gjatë takimit, presidenti Erdoğan tha se Turqia i kushton rëndësi NATO-s dhe se si tregues i kësaj do të rimarrë komandën e Forcës Paqeruajtëse të Kosovës (KFOR) në kuadër të NATO-s.
Duke theksuar se Turqia pret bashkëpunim nga aleatët e saj në luftën kundër terrorizmit, Erdoğan tha se Turqia do të vazhdojë të bëjë çmos për ta mbajtur NATO-n të fuqishëm pavarësisht sfidave të brendshme dhe të jashtme.
Presidenti Erdoğan gjithashtu tha se Turqia ka shtuar përpjekjet e saj për t'i dhënë fund luftës Ukrainë-Rusi me një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë, se ka zhvilluar bisedime me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, se Turqia mbështet fuqimisht vendosjen e një armëpushimi gjithëpërfshirës dhe mban qëndrimin e saj se NATO nuk duhet të jetë pjesë e kësaj lufte dhe se mundësia për paqe nuk duhet humbur.
Në takim i pranishëm ishte edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan si dhe kryekëshilltari i presidentit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Akif Çağatay Kılıç.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
