Presidenti Erdoğan pas pjesëmarrjes në Samitin e paqes në Egjipt thekson rindërtimin e Gazës
"Nënshkrimet e samitit pasqyrojnë një angazhim të qëndrueshëm për paqen", tha Erdoğan pas nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza me Egjiptin, Katarin dhe udhëheqësit e SHBA-së

Stamboll
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan pas samitit mbi Gazën në Egjipt të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi nënvizoi rëndësinë e rindërtimit të Gazës, duke u zotuar se Turqia do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të adresuar nevojat humanitare dhe të strehimit të palestinezëve përpara dimrit, raporton Anadolu.
Të hënën, Trump dhe Sisi pritën më shumë se 20 udhëheqës botërorë, përfshirë presidentin Recep Tayyip Erdoğan, në qytetin turistik egjiptian të Sharm el-Sheikh për një samit për të nënshkruar një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës.
Ceremonia filloi me mbërritjen e udhëheqësve nga shumë vende ndërsa presidenti i SHBA-së mbajti fjalimin hapës. Erdoğan, Trump, Sisi dhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani nënshkruan marrëveshjen.
Duke folur për gazetarët turq në bordin e një fluturimi gjatë kthimit nga Egjipti, Erdoğan e përshkroi diplomacinë me Trumpin si "jashtëzakonisht të rëndësishme" dhe u zotua ta vazhdojë atë me "të njëjtën ndjeshmëri".
Erdoğan, nënshkrimet e Samitit të paqes në Egjipt i përshkroi "jo vetëm simbolike - ato shënojnë angazhimin tonë për paqe si pjesë të historisë". Ai tha se Turqia është "shumë entuziaste për vendosjen e një rendi paqeje në Gaza".
Lidhur me rindërtimin e enklavës së rrethuar, Erdoğan tha se Turqia po kërkon mbështetje "nga të gjithë, nga vendet e Gjirit deri te SHBA-ja dhe Evropa" dhe shtoi se përpjekjet e vazhdueshme synojnë të sigurojnë që gjenocidi në Gaza "të mos harrohet".
Erdoğan theksoi se rreth 350 kamionë me ndihmë humanitare nga Turqia kanë hyrë në Rripin e Gazës ditët e fundit, duke thënë se marrëveshja Hamas-Izrael parashikon të paktën 600 kamionë çdo ditë.
Presidenti turk përsëriti qëndrimin e Turqisë për Palestinën, duke thënë: "E vetmja zgjidhje për kauzën palestineze është krijimi i një shteti palestinez të pavarur dhe sovran me integritet të plotë territorial, bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe me Kudsin Lindor si kryeqytetin e tij".
Lidhur me Sirinë, Erdoğan tha se Turqia po lëshon paralajmërime të shpeshta për Forcat Demokratike Siriane (SDF) që të "mos ndjekin rrugët e gabuara" dhe të mbështesin unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, duke shtuar se “integrimi i shpejtë i Forcave Demokratike Siriane me Sirinë do të përshpejtojë iniciativat e zhvillimit të Sirisë".