Presidenti Erdogan merr Çmimin e OBSH-së për Evropën për përpjekjet humanitare të Turqisë për palestinezët
Çmimi presidentit Erdogan iu dorëzua nga Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, gjatë Kongresit të 11-të të Botës Mjekësore Turke në Ankara
Stamboll
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan sot mori Çmimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, për përpjekjet humanitare të Turqisë ndaj palestinezëve dhe rolin e saj në lehtësimin e evakuimeve mjekësore nga Gaza, raporton Anadolu.
Çmimi iu dorëzua nga Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, gjatë Kongresit të 11-të të Botës Mjekësore Turke në Ankara.
Në fjalimin e tij në ceremoni, Erdogan kritikoi heshtjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj shkatërrimit të spitaleve dhe vrasjes së pacientëve, punonjësve shëndetësorë dhe foshnjave në Gaza gjatë dy viteve të fundit.
“Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë që bota të shkëputet nga një realitet ku, për plot dy vite, mbeti spektatore teksa spitalet në Gaza bombardoheshin dhe pacientët, punonjësit shëndetësorë, fëmijët dhe madje edhe foshnjat e pafajshme në inkubatorë vriteshin”, tha ai.
Erdogan shtoi se bota do të bëhet “një parajsë” ditën kur njerëzimi të ndajë gëzimin kolektiv të shpëtimit të një jete dhe të festojë ardhjen e sigurt të çdo foshnje të porsalindur si lumturinë e vet.
“Pikërisht për këtë po punojmë”, tha ai.
Erdogan tha se Turqia ka transformuar sistemin e saj shëndetësor gjatë 23 viteve të fundit, duke e kthyer atë në një rrjet të gjerë, cilësor dhe të përballueshëm që i shërben gjithë popullsisë. Ai theksoi se vendi tani ofron shërbime të klasit të parë për 86 milionë njerëz me mbështetjen e mbi 1,47 milionë punonjësve shëndetësorë.
Ai shtoi se fuqia punëtore shëndetësore është rritur me 288 për qind që nga viti 2002 dhe se gati 100.000 punonjës të rinj, mes tyre më shumë se 57.000 mjekë, janë rekrutuar vetëm gjatë një viti e gjysmë të fundit.
Ai theksoi se 80 për qind e spitaleve publike janë rinovuar ose rindërtuar, me 794 spitale të reja që kanë rritur kapacitetin e shtretërve publikë në 173.000. Numri i shtretërve të kualifikuar është rritur nga 7.000 në vitin 2002 në 122.000 sot, ndërsa kapaciteti total nga 164.000 në 271.000.
Erdogan theksoi gjithashtu vazhdimin e rindërtimit në provincat e goditura nga tërmeti, ku 109 institucione shëndetësore me mbi 5.100 shtretër janë përfunduar, duke e rritur kapacitetin total nga 23.733 në 27.503 shtretër në 11 provinca.
Ai nënvizoi nevojën që Turqia të avancojë në kërkimet shkencore, farmaceutikë dhe prodhimin e pajisjeve mjekësore. “Pavarësisht pengesave të brendshme dhe të jashtme, besoj se do të arrijmë në teknologjitë shëndetësore atë që arritëm në industrinë e mbrojtjes”, tha ai, duke shtuar se Turqia mbetet e përkushtuar të mbështesë të gjitha përpjekjet inovative dhe realiste që e çojnë përpara objektivin shëndetësor të vendit.
Ndërkaq, Drejtori i Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Burhanettin Duran, komentoi gjithashtu çmimin në platformën turke sociale “NSosyal”, duke thënë se kjo njohje “shërben si dëshmi e diplomacisë humanitare të Turqisë, e formësuar nga vizioni i presidentit tonë”.
“Pavarësisht situatës së rëndë në Gaza, vazhdimi i ndihmës humanitare, zhvillimi i sigurt i evakuimeve mjekësore dhe ngritja e zërit për të shtypurit kanë qenë të mundura falë ndjekjes personale, vullnetit dhe lidershipit të presidentit tonë. Ndjeshmëria e tij e gjatë humanitare ndaj çështjes palestineze vazhdon të krijojë një ndikim të fortë si në rajon, ashtu edhe në platformat ndërkombëtare”, shtoi Duran.
