Nesër në Stamboll fillon Forumi Botëror i TRT 2025
Forumi Botëror i TRT 2025 (TRT World Forum 2025) që mbledh udhëheqës nga e gjithë bota, do të fillojë nesër në Stamboll me temën "Rindërtimi global: Nga rendi i vjetër në realitete të reja"
Stamboll
Forumi Botëror i TRT 2025 (TRT World Forum 2025) që mbledh udhëheqës nga e gjithë bota, do të fillojë nesër në Stamboll me temën "Rindërtimi global: Nga rendi i vjetër në realitete të reja", transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga TRT thuhet se eventi i cili mbledh së bashku akademikë, politikanë, punonjës të shoqërisë civile, ekspertë të grupeve të opinionit, burokratë dhe gazetarë që formësojnë axhendat globale, do të mbahet për herë të nëntë nga 31 tetori deri më 1 nëntor.
Forumi Botëror i TRT, i cili do të diskutojë çështje të rëndësishme globale për dy ditë, do të fillojë me fjalimin hapës të presidentit Recep Tayyip Erdogan. Në fjalimet e tij hapëse në Forumet Botërore të TRT-së, në të cilat ka marrë pjesë që nga viti 2017, Erdogan ka dhënë deklarata të rëndësishme në lidhje me Turqinë dhe axhendën globale.
Temat që do të diskutohen në ditën e parë të forumit janë: "Ndërtimi i autonomisë strategjike: Turqia dhe paradigma globale e mbrojtjes", "Agimi i ri i Sirisë: Një udhërrëfyes për rindërtim dhe stabilitet", "Të ardhme konfliktuale: Konflikti dhe pajtimi në Afrikën Lindore" dhe "Nga viktimizimi në rezistencë: Rruga drejt drejtësisë në Gaza".
Në këtë aktivitet do të shfaqet edhe performanca e artistes norvegjeze Vibeke Harper "3925 të ardhme të humbura".
Nga 6 deri më 9 tetor, Harper performoi një ritual përkujtimor dhe varrimi në Vega Scene në Oslo, duke shënuar një moment historik kulturor në historinë e njerëzimit. Pjesëmarrësit në këtë performancë 68-orëshe lexuan dhe i varën në mur emrat e 18.459 fëmijëve të vrarë në Rripin e Gazës.
Harper do ta adaptojë këtë performancë shumë të vlerësuar për Forumin Botëror TRT 2025.
Gjatë forumit, vizitorët do të kryejnë një ritual përkujtimor duke lexuar emrat e 3.925 të rinjve të moshës 18 deri në 20 vjeç që u vranë nga Izraeli, duke i shkruar ato në letër të kuqe dhe duke i varur në mur.
 
             
