Në qytetin antik 3-mijëvjeçar në Turqi zbulohet mozaiku me mbishkrimin "le të plasin ziliqarët"
"Fjala e parë në mbishkrim do të thotë 'zili' ose 'ziliqar', ndërsa fjala e dytë ka kuptimin 'të plasaritet' apo 'të shpërthejë'. Pra bëhet fjalë për një shprehje që korrespondon me 'le të plasin ziliqarët', që e përdorim edhe sot", tha Ergurer
Antalya
Në gërmimet e zhvilluara në qytetin antik Syedra në rrethin Alanya të qytetit turk Antalya, është zbuluar një mozaik rreth 15 metra katrorë, i vlerësuar se i përket shekujve 4-6 pas erës sonë dhe mbi të cilin gjendet shprehja "le të plasin ziliqarët".
Në qytetin antik, historia e të cilit daton rreth 3 mijë vite më parë, vazhdojnë gërmimet në kuadër të "Projektit Trashëgimi për të Ardhmen" të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, nën drejtimin e doç. dr. Ertug Ergurer, pedagog në Fakultetin e Turizmit të Universitetit Alaaddin Keykubat.
Kreu i punimeve të gërmimit, Ergurer, në një deklaratë për Anadolu tha se gjatë gërmimeve në një nga banesat më të mëdha të qytetit kanë arritur në një zbulim të rëndësishëm.
Duke theksuar se në pjesën hyrëse qendrore të strukturës është zbuluar një mozaik shumë i ruajtur mirë, Ergurer tha: "Jemi ende në fazat e para të punimeve mbi mozaikun, i cili përbëhet nga motive gjeometrike dhe të ndryshme lulesh. Mendojmë se mozaiku daton midis shekujve 4 dhe 6".
Ai thekson se elementi që e bën të veçantë mozaikun prej rreth 15 metrash katrorë është prania e dy mbishkrimeve mbi të, duke shtuar: "Në pjesën qendrore të mozaikut ndodhet një shprehje që do të thotë 'përdore me kënaqësi' ose 'përdore me fat'. Ndërsa në pjesën e hyrjes së dhomës, brenda një bordure rrethore, ndodhet një mbishkrim i dytë. Ky mbishkrim ka një kuptim më shumë figurativ".
"Fjala e parë në mbishkrim do të thotë 'zili' ose 'ziliqar', ndërsa fjala e dytë ka kuptimin 'të plasaritet' apo 'të shpërthejë'. Pra bëhet fjalë për një shprehje që korrespondon me 'le të plasin ziliqarët', që e përdorim edhe sot. Ishte një surprizë e madhe për ne të hasnim një shprehje të tillë në hyrjen e një ndërtese të ndërtuar rreth 1500 vite më parë".
Ergurer tha se vlerësojnë që struktura është një nga banesat e rëndësishme të Syedra-s dhe se punimet e gërmimit dhe restaurimit do të vazhdojnë në disa pjesë të saj. Ai thotë se me punimet restauruese mozaiku dhe struktura janë marrë nën mbrojtje, duke shtuar se do të vazhdojnë edhe punimet e pastrimit.
