Turqia

MPJ e Turqisë: Sulmi i qeverisë Netanyahu ndaj anijes Madleen, vërtetoi sërish se Izraeli është "shtet terrorist"

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë deklaroi se sulmi i Izraelit ndaj anijes "Madleen", e cila u nis për të dërguar ndihma humanitare në Gaza, ka vërtetuar edhe një herë se ky vend është "shtet terrorist"

Can Efesoy  | 09.06.2025 - Përdıtësım : 09.06.2025
MPJ e Turqisë: Sulmi i qeverisë Netanyahu ndaj anijes Madleen, vërtetoi sërish se Izraeli është "shtet terrorist"

Ankara

ANKARA (AA) - Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë deklaroi se sulmi i Izraelit ndaj anijes "Madleen", e cila u nis për të dërguar ndihma humanitare në Gaza, ka vërtetuar edhe një herë se ky vend është "shtet terrorist", transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga ministria thuhet se "Ndërhyrja nga forcat izraelite gjatë lundrimit në ujëra ndërkombëtare ndaj anijes 'Madleen', e cila u nis për të dërguar ndihma humanitare në Gaza dhe mbante qytetarët tanë në bord është shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare".

"Ky sulm i urryer nga qeveria e (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu, i cili gjithashtu kërcënon lirinë e lundrimit dhe sigurinë detare ka vërtetuar edhe një herë se Izraeli është shtet terrorist", theksohet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se do të vazhdojë reagimi i drejtë i komunitetit ndërkombëtar kundër politikave gjenocidale të Izraelit, të cilat përdorin urinë si armë në Gaza dhe parandalojnë shpërndarjen e ndihmës humanitare.

Po ashtu në deklaratë vihet në dukje se qëndrimi agresiv dhe i paligjshëm i Izraelit nuk do t'i heshtë zërat që mbrojnë vlerat njerëzore.


- Ndërhyrja ndaj anijes "Madleen"

Anija me vela 18 metra u nis për në Gaza nga porti San Giovanni Li Cuti në Katania të Italisë më 1 qershor, si pjesë e misionit të fundit të organizuar nga organizata e shoqërisë civile "Koalicioni i Flotiljes së Lirisë" (Freedom Flotilla Coalition) për të thyer bllokadën ndaj Gazës dhe për të sjellë ndihma në rajon.

Në një deklaratë të bërë në orët e natës nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë thuhet se ushtria izraelite ndërhyri në anijen "Madleen". "Kontakti me 'Madleen' është humbur. Ushtria izraelite ka hipur në anije. Vullnetarët në anijen 'Madleen' janë rrëmbyer nga ushtria izraelite", thuhet në deklaratë.

Në anije ndodhen 12 persona, përfshirë anëtaren franceze të Parlamentit Evropian (PE) Rima Hassan dhe shtetasen gjermane Yasemin Acar, si dhe Hüseyin Şuayb Ordu nga Turqia, Thiago Avila nga Brazili, Sergio Toribio nga Spanja, Marco van Rennes nga Holanda, Baptiste Andre, Reva Viard, Pascal Maurieras dhe Yanis Mhamdi nga Franca, aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg dhe gazetari Omar Faiad.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın