Ministria e Jashtme e Turqisë përshëndet marrëveshjen e armëpushimit në Gaza
Ministria turke shprehu shpresën "se momenti i arritur në negociatat e armëpushimit do të kontribuojë gjithashtu në realizimin e një zgjidhjeje me dy shtete në periudhën në vijim"

Stamboll
Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka njoftuar se përshëndet vendosjen e një armëpushimi në Gaza, duke shprehur shpresë se kjo “do t’i japë fund gjenocidit që ka vazhduar gjatë dy viteve të fundit”, transmeton Anadolu.
Duke pritur që marrëveshja e armëpushimit të zbatohet plotësisht, ministria turke tha se “me armëpushimin në fuqi, është e domosdoshme që ndihma humanitare të dërgohet në Gaza, ku po zhvillohet një katastrofë humanitare dhe që përpjekjet për rindërtimin e Gazës të fillojnë pa vonesë”.
“Turqia do të vazhdojë të ofrojë ndihmë të konsiderueshme humanitare në Gaza në periudhën në vijim”, tha ministria turke.
Duke theksuar se paqja e qëndrueshme në Lindjen e Mesme mund të arrihet vetëm përmes një zgjidhjeje të drejtë të çështjes izraelito-palestineze, ministria shprehu shpresën "se momenti i arritur në negociatat e armëpushimit do të kontribuojë gjithashtu në realizimin e një zgjidhjeje me dy shtete në periudhën në vijim".
“Ne përgëzojmë përpjekjet e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-së në ndërmjetësimin e negociatave të armëpushimit. Turqia riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar në mënyrë aktive dhe për të zgjeruar mbështetjen e saj gjatë gjithë fazave të zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit”, thuhet më tej.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të marrëveshjes së propozuar nga SHBA-ja për Gazën.
Plani 20-pikësh, i njoftuar për herë të parë më 29 shtator, përfshin lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës.
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë kthyer Gazën praktikisht në të pabanueshme, duke çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.