Turqia

Ministri nigerian: Tregtia me Turqinë do të rritet "në mënyrë dramatike"

Forumi i Ekonomisë dhe Biznesit Turqi-Afrikë i mbajtur këtë javë në Stamboll është "hap në drejtimin e duhur", tha ministri nigerian i tregtisë

Rabia İclal Turan   | 23.10.2021
Ministri nigerian: Tregtia me Turqinë do të rritet "në mënyrë dramatike"

Ankara

Gjatë viteve të ardhshme, tregtia midis Turqisë dhe Nigerisë do të rritet “në mënyrë dramatike” nga niveli i saj aktual prej 2 miliardë dollarësh, sipas ministrit nigerian të tregtisë.

Duke folur për Anadolu Agency (AA) në margjina të Forumit të Tretë të Ekonomisë dhe Biznesit Turqi-Afrikë në Stamboll, i cili përfundoi të premten, Richard Adeniyi Adebayo, ministri i Industrisë, Tregtisë dhe Investimeve i Nigerisë, e quajti forumin një “hap në drejtimin e duhur”.

Forumi dyditor, i organizuar nga Bordi i Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë i Turqisë (DEIK) në bashkëpunim me Ministrinë turke të Tregtisë dhe Komisionin e Bashkimit Afrikan, priti rreth 3.000 biznesmenë afrikanë dhe turq, si dhe ministra të qeverive dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga 45 vende afrikane.

“Unë besoj se do t’i afrojë vendet tona. Dhe gjithashtu besoj se na jep një mundësi për të diskutuar fusha të ndryshme të interesit, veçanërisht mundësitë tregtare, që ekzistojnë midis të dy vendeve”, tha Adebayo.

Nigeria ishte ndalesa e fundit e turneut katërditor afrikan të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan këtë javë, pas Angolës dhe Togos. Kjo ishte vizita e dytë nga Erdoğan në Nigeri që nga viti 2016, vend që Turqia e sheh si një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë në kontinent me një vëllim tregtar prej më shumë se 2 miliardë dollarësh. Turqia dhe Nigeria synojnë të rrisin vëllimin tregtar në 5 miliardë dollarë, njoftoi Erdoğan gjatë vizitës së tij.

Turqia ka pasur lidhje me Nigerinë që kur ajo fitoi pavarësinë në vitin 1960, tha Adebayo, duke shtuar se ata janë afruar me marrëdhëniet e mira mes Erdoğan-it dhe presidentit nigerian Muhammadu Buhari.

Fluturimet direkte midis Turqisë dhe Nigerisë kanë mundësuar që shumë nigerianë të vizitojnë Turqinë për të blerë, për pushime dhe për turizmin mjekësor, tha ai.

Vendet do të afrohen akoma më shumë, shtoi ai.

- “Investimet turke të ndryshme nga ato të Kinës”

Duke thënë se investimet turke në Afrikë janë “shumë të ndryshme” nga ato kineze, ai tha: “Kam qenë në diskutime me industrialistë dhe investitorë të ndryshëm turq dhe ata ishin të interesuar të vinin për të bërë biznes në Afrikë. Ata janë të përgatitur të ofrojnë lehtësira afatgjata për kontinentin afrikan”.

Në marrëdhëniet e saj me vendet afrikane, Turqia ka theksuar një filozofi të marrëdhënieve "fito-fito".

I pyetur nëse Nigeria është e interesuar për dronët e armatosur të Turqisë me performancë të lartë, Adebayo tha se ata janë në diskutime me Ministrinë turke të Mbrojtjes. Çështja u diskutua gjithashtu gjatë vizitës së Erdoğan-it, tha ai, duke shtuar se ata “po eksplorojnë industrinë turke të mbrojtjes”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın