Mbetjet marrin jetë në qytetin turk Elazig: Skulptura kuajsh përçojnë mesazh për riciklimin në hipodrom
Në kuadër të kësaj nisme, patkonj të papërdorur kuajsh, zinxhirë, hekur, vida dhe kallëpe llamarine që nuk përdoren në hipodrom, si dhe materiale të mbetjeve industriale të sjella nga institucione të ndryshme shndërrohen në skulptura kuajsh
Elazig
Në Hipodromin e Klubit të Xhokejve të Turqisë (TJK) në Elazig do të tërhiqet vëmendja ndaj riciklimit përmes skulpturave të kuajve të realizuara nga materiale të mbetura.
Në hipodromin e vendosur në një sipërfaqe prej 503 dynymësh në rrethin Yurtbasi, me pamje nga Liqeni Hazar, u ngrit një punishte me qëllim riciklimin e materialeve të mbetura në kuadër të "Projektit Zero Mbetje", të nisur nën udhëheqjen e Emine Erdoganit, bashkëshortes së presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Në kuadër të kësaj nisme, patkonj të papërdorur kuajsh, zinxhirë, hekur, vida dhe kallëpe llamarine që nuk përdoren në hipodrom, si dhe materiale të mbetjeve industriale të sjella nga institucione të ndryshme shndërrohen në skulptura kuajsh falë punës së stafit të angazhuar në punishte.

Gjashtë skulptura kuajsh të përgatitura në kuadër të punimeve që nisën rreth një vit më parë do të vendosen dhe ekspozohen në pjesë të ndryshme të kompleksit të hipodromit më 1 prill, kur fillon sezoni i garave.
Ndërkohë, vazhdon ndërtimi i skulpturave që peshojnë rreth 1 ton secila dhe që kërkojnë afërsisht 1,5 muaj punë për t'u përfunduar. Me ekspozimin e këtyre skulpturave në hipodrom synohet që familjeve dhe fëmijëve që vijnë për të ndjekur garat, për shëtitje apo piknik, t'u përçohet kultura e riciklimit.
"Zero mbetje është shumë e rëndësishme për të ardhmen e botës"
Drejtori i Hipodromit të TJK-së në Elazig, Muhammet Demirçelik, për Anadolu tha se hipodromi, përveç garave me kuaj u ofron qytetarëve edhe hapësira për jetë sociale.
Ai theksoi se hipodromi pret më shumë vizitorë, sidomos gjatë muajve të verës.

"Zero mbetje është shumë e rëndësishme për të ardhmen e botës. Kemi realizuar shumë projekte në këtë drejtim. Në punishte, kolegët tanë ekspertë përgatisin skulptura nga mbetje industriale. Synimi ynë është që nga njëra anë të përçojmë te fëmijët ndërgjegjësimin mjedisor, ndërsa nga ana tjetër të nxjerrim në pah ndërgjegjen artistike. Me këto vepra përpiqemi t'u shpjegojmë fëmijëve rëndësinë e riciklimit dhe të mbrojtjes së mjedisit", tha Demirçelik.
"Përpiqemi t'i përshtatim skulpturat e kuajve sipas strukturës anatomike"
Serkan Çatalkaya, i diplomuar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Firat dhe që punon prej rreth 2 vitesh në hipodrom, tha se puna e tij është kryesisht e përqendruar në skulpturat e kuajve. Ai theksoi se duke përdorur mbetjet kanë realizuar projekte të ndryshme.

"Me këto punime kontribuojmë në riciklim duke vepruar edhe me logjikën e riciklimit të avancuar. Materialet që përdorim përbëhen kryesisht nga mbetje industriale. Koha e ndërtimit ndryshon sipas madhësisë së skulpturës. Përpiqemi t'i përshtatim skulpturat e kuajve sipas strukturës së tyre anatomike. Punoj me saldim me gaz dhe gur spiral. Për të siguruar balancën e skulpturave, krijojmë strukturën e brendshme skeletore në përputhje me këtë", tha Çatalkaya.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
