Kryeqyteti turk, Ankaraja, zyrtarisht merr titullin Kryeqyteti Turistik i Botës Turke për vitin 2026
Çelësi simbolik iu dorëzua zyrtarëve turq në një ceremoni të mbajtur në Manas të Kirgistanit.
Ankara
Ankaraja ka marrë zyrtarisht titullin “Kryeqyteti Turistik i Botës Turke 2026” gjatë një ceremonie simbolike të dorëzimit të mbajtur në qytetin Manas të Kirgistanit, thanë sot zyrtarë, transmeton Anadolu.
Sipas Zyrës së Guvernatorit të Ankarasë, vendimi u mor në takimin e ministrave të turizmit të Organizatës së Shteteve Turke (OTS) më 9 korrik 2025.
Në aktivitetin e dorëzimit në Manas (Jalal-Abad), çelësi simbolik që përfaqëson titullin iu dorëzua nga kryebashkiaku i Manasit, Ernisbek Ormokov, zëvendësguvernatorit të Ankarasë, Izzettin Sevgili, dhe drejtorit provincial të Kulturës dhe Turizmit të Ankarasë, Erhan Karakaya.
Nisma “Kryeqyteti Turistik i Botës Turke”, e zhvilluar nën OTS-në, synon të forcojë bashkëpunimin kulturor midis shteteve anëtare, të promovojë trashëgiminë e përbashkët dhe të nxjerrë në pah potencialin turistik të botës turke në arenën ndërkombëtare.
Gjatë programit u mbajtën edhe performanca kulturore turke dhe kirgize, të cilat theksuan lidhjet historike dhe shpirtërore mes dy kombeve.
Në vitin 2026, kryeqyteti turk do të presë një sërë aktivitetesh kulturore dhe turistike përgjatë gjithë vitit, nën koordinimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe të Zyrës së Guvernatorit së Ankarasë, në bashkëpunim me institucione publike, qeverisjen lokale, qarqe akademike dhe shoqëri civile.
Zyrtarët thanë se qyteti do të shërbejë si një qendër kryesore për solidaritet kulturor dhe shkëmbim turistik midis qyteteve të botës turke gjatë gjithë vitit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
