Kryeparlamentari turk: Jemi në favor të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit
"Dua të theksoj se ne i kushtojmë shumë rëndësi stabilitetit të përgjithshëm të Ballkanit, veçanërisht në një kohë kur bota jonë po kalon turbulenca të mëdha dhe pothuajse çdo rajon përreth nesh po përjeton konflikte dhe tensione të mëdha"

Ankara
ANKARA (AA) - Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Numan Kurtulmuş, ka deklaruar se Turqia është në favor të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit, raporton Anadolu.
Kurtulmuş priti në takim kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Turqi. Pas takimit kokë më kokë dhe midis delegacioneve, Kurtulmuş dhe Spiropali mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Kurtulmuş në fjalën e tij tha se me homologen e tij kanë zhvilluar një takim shumë produktiv. Ai tha se gjatë takimit të tyre, ata shqyrtuan marrëdhëniet miqësore ekzistuese midis dy vendeve dhe shkëmbyen ide se si këto marrëdhënie mund të zhvillohen.
Ai tha gjithashtu se në takim kanë diskutuar edhe çështjet që lidhen me kontributet që mund të jepen në marrëdhëniet Turqi-Shqipëri, të cilat po zhvillohen çdo vit në kuadër të vizionit të përbashkët të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, përmes diplomacisë parlamentare.
Duke theksuar se Turqia dhe Shqipëria janë dy aleatë, Kurtulmuş tha: "Shpresoj që në periudhën e ardhshme, me mbështetjen që ne, si parlamente, do të ofrojmë, marrëdhëniet midis dy vendeve do të zhvillohen edhe më fuqishëm".
- "U konfirmuan gjithashtu qasjet e përbashkëta ndaj Ballkanit"
Kurtulmuş tregoi se gjatë takimit të tyre u konfirmuan gjithashtu edhe qasjet e përbashkëta të Turqisë dhe Shqipërisë në lidhje me Ballkanin.
"Jemi në favor të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit. Dua të theksoj se ne i kushtojmë shumë rëndësi stabilitetit të përgjithshëm të Ballkanit, veçanërisht në një kohë kur bota jonë po kalon turbulenca të mëdha dhe pothuajse çdo rajon përreth nesh po përjeton konflikte dhe tensione të mëdha. Dua të theksoj se Turqia dhe Shqipëria kanë një qasje të përbashkët ndaj zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ekzistuese përmes negociatave dhe konsultimeve, si dhe të ngritjes së solidaritetit midis vendeve të Ballkanit në nivelin më të lartë", theksoi ai.
"Fakti që paqja në luftën e vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës nuk është arritur pavarësisht përpjekjeve të Turqisë, përbën një kërcënim të madh për paqen botërore dhe gjithashtu paraqet rreziqe shtesë për Evropën dhe veçanërisht rajonin e Ballkanit. Prandaj, është e qartë se nevojitet një perspektivë paqësore për të mbrojtur rajonin e Ballkanit sa më shumë që të jetë e mundur nga efektet e luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë dhe për të eliminuar rreziqet shtesë që mund të lindin dhe një qasje e bazuar në stabilitet dhe siguri midis vendeve të Ballkanit është thelbësore", shtoi Kurtulmuş.
Më tej, ai deklaroi se Turqia dhe Shqipëria janë dy vende që kanë një miqësi dhe marrëdhënie të lashtë dhe se është e mundur që këto marrëdhënie midis Turqisë dhe Shqipërisë të zhvillohen më tej në çdo fushë, brenda kuadrit të parimit "fito-fito".
Kurtulmuş njoftoi se gati 800 kompani turke bëjnë biznes në Shqipëri dhe se Turqia është vendi i pestë që investon më së shumti në Shqipëri, duke shtuar se është e mundur të rritet vëllimi tregtar dypalësh në 2 miliardë dollarë, që aktualisht është rreth 1 miliard dollarë.
- "Ballkani tani do të ketë një vend më me ndikim në politikën botërore"
Kurtulmuş theksoi se kanë hyrë në një periudhë në të cilën duhet të tregohet më shumë kujdes në periudhat e ardhshme dhe se bota po ristrukturohet.
Duke treguar se ky është fillimi i një epoke të re për sistemin ndërkombëtar, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, Kurtulmuş theksoi se sistemi i vjetër është rrënuar dhe shembur plotësisht.
Duke potencuar se është e qartë se do të shfaqet një ekuacion dhe balancë e re globale, Kurtulmuş shpjegoi se Ballkani padyshim do të bëhet shumë më i rëndësishëm se më parë në botën e re shumëpolare.
"Si një rajon që përfshin multikulturalizmin, Ballkani tani do të mbajë një pozicion më me ndikim në politikën botërore. Për këtë qëllim, ne do të punojmë me përkushtim, do të forcojmë miqësitë dhe bashkëpunimet tona dhe do të vazhdojmë përpjekjet tona bashkëpunuese për ta transformuar rajonin e Ballkanit në një model për botën, një mjedis besimi dhe stabiliteti", u shpreh ai.
Kurtulmuş në fjalën e tij foli edhe për gjendjen në Siri si dhe sulmet e fundit të Izraelit ndaj këtij vendi. "Kjo sjellje agresive nga Netanyahu dhe ekipi i tij, të cilët nuk e njohin të drejtën ndërkombëtare, shpërfillin të gjitha institucionet dhe rregullat e sistemit ndërkombëtar dhe veprojnë pa asnjë standard mëshire apo ndërgjegjeje në botë, është plotësisht e papranueshme. Kjo nuk është sjellje e një shteti... Kjo është e papranueshme", tha ai.
Ai gjithashtu kujtoi se parlamenti turk dje miratoi mocionin e kryeparlamentarit që dënon sulmet e Izraelit në Siri.
Në fund Kurtulmuş, duke shprehur kënaqësinë e tij që priti Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Spiropali, dhe delegacionin shoqërues, tha se edje ata do të vizitojnë Kuvendin e Shqipërisë sa më shpejt të jetë e mundur.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.