Kryediplomati turk Fidan dhe homologu i tij italian diskutojnë për Gazën
Hakan Fidan zhvilloi bisedë telefonike me Antonio Tajanin, ku diskutoi mbi përpjekjet për arritjen e armëpushimit dhe paqes në enklavën palestineze

Ankara/Stamboll
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan zhvilloi bisedë telefonike me homologun e tij italian, Antonio Tajani, ku diskutuan për Gazën, thanë burimet diplomatike turke, transmeton Anadolu.
Biseda u përqendrua në përpjekjet për të arritur armëpushim dhe paqe në enklavën palestineze, thanë burimet, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Tajani tha se pati një bisedë të gjatë telefonike me ministrin Fidan.
"Ne mbështesim përpjekjet ndërmjetësuese të Turqisë dhe partnerëve të tjerë rajonalë për të bindur Hamasin të pranojë planin e paqes. Është koha për t'i dhënë fund armiqësive, për të siguruar ndihmë humanitare për popullsinë civile dhe për të promovuar zgjidhje të qëndrueshme politike që parashikon krijimin e shtetit palestinez", shkroi ai në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
Ai tha se si Italia ashtu edhe Turqia po ndjekin nga afër Flotiljen Globale "Sumud", e cila po shkon drejt Gazës për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të thyer bllokadën e vazhdueshme, dhe se prioritet ishte shmangia e përshkallëzimit.
Telefonata vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu të hënën, zbuloi një plan 20-pikësh për t'i dhënë fund luftës së Izraelit në Rripin e Gazës dhe për të instaluar administratë të përkohshme për të rindërtuar enklavën.