Kryediplomati turk do të marrë pjesë në samitin informal të shteteve turke në Budapest
Fidan pritet të theksojë se në një periudhë kur sistemi ndërkombëtar po kalon kohë të vështira në prodhimin e paqes, stabilitetit dhe drejtësisë, vendet e OTS po forcojnë vazhdimisht bashkëpunimin

Stamboll
Kryediplomati turk, Hakan Fidan do të vizitojë Hungarinë më 20-21 maj, për të shoqëruar presidentin Recep Tayyip Erdoğan në samitin informal të Organizatës së Shteteve Turke (OTS) si dhe të marrë pjesë në takimin informal të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OTS, transmeton Anadolu.
Takimet do të zhvillohen në kryeqytetin Budapest, ndërsa Fidan pritet të mbajë një fjalim të mërkurën, thanë burimet diplomatike turke.
Pjesëmarrja e tij vjen pas pjesëmarrjes në takimin e mëparshëm të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të mbajtur në Bishkek më 6 nëntor 2024, përpara samitit të 11-të të OTS.
Në fjalimin e tij, Fidan pritet të theksojë rëndësinë në rritje të OTS-së në mes të pasigurisë globale.
Ai pritet të theksojë se në një periudhë kur sistemi ndërkombëtar po kalon kohë të vështira në prodhimin e paqes, stabilitetit dhe drejtësisë, vendet e OTS po forcojnë vazhdimisht bashkëpunimin e tyre përmes një ndjenje pronësie rajonale.
Fidan do të theksojë gjithashtu rëndësinë e identitetit të përbashkët, duke thënë se vendet e OTS janë pjesë e botës së madhe turke dhe kjo vetëdije duhet të udhëheqë veprimet e tyre.
Lidhur me çështjen e kahershme të Qipros, Fidan do të riafirmojë mbështetjen e Turqisë për Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC), duke theksuar një përgjegjësi të përbashkët të OTS-së për të qëndruar në solidaritet me qipriotët turq, të cilët i janë nënshtruar izolimeve të padrejta dhe çnjerëzore për dekada të tëra.
Kryediplomati turk pritet gjithashtu të nënvizojë përpjekjet për të rritur bashkëpunimin në sektorë jetikë jo vetëm për të forcuar kapacitetin institucional dhe aftësitë e OTS-së, por edhe për të thelluar lidhjet në fushat e transportit, energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Samiti i Budapestit vjen pas angazhimeve të fundit të nivelit të lartë brenda OTS-së, duke përfshirë një samit informal në Shusha më 5-6 korrik 2024 dhe samitin e 11-të në Bishkek më 6 nëntor 2024, ku udhëheqësit përsëritën angazhimin e tyre për solidaritet dhe bashkëpunim më të thellë në të gjithë botën turke.
Takimi i 21 majit pritet të rezultojë në miratimin e një deklarate të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin ndërshtetëror dhe integrimin institucional brenda OTS-së.
Do të nënshkruhen gjithashtu disa dokumente zyrtare. Samiti i 12-të i OTS-së është planifikuar të mbahet në Baku në muajt në vijim.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.