Inteligjenca turke ndalon dy të dyshuar si operativë të Mossadit në një hetim spiunazhi në Stamboll
Të dyshuarit përdorën mbulim biznesi, ndanë informacione me Mossadin dhe planifikuan kompani fasadë për t'u infiltruar në zinxhirët globalë të furnizimit, thonë burimet e sigurisë
Ankara
Organizata Kombëtare e Inteligjencës e Turqisë (MIT), në një operacion të përbashkët me Prokurorinë e Stambollit dhe Drejtorinë Provinciale të Policisë së Stambollit, ka ndaluar sot në Stamboll dy persona të cilët dyshohet se kanë punuar për agjencinë izraelite të spiunazhit Mossad, transmeton Anadolu.
Të dyshuarit janë identifikuar si Mehmet Budak Derya dhe Veysel Kerimoglu, sipas informacioneve nga burime të sigurisë.
Burimet thonë se Derya dhe Kerimoglu kishin qenë prej kohësh nën vëzhgimin e MIT-it dhe dyshohet se i përcillnin informacione Mossadit.
Derya, inxhinier minerar, themeloi kompaninë e tij në vitin 2005 dhe hapi një gurore mermeri në rrethin Silifke të Mersinit, duke zgjeruar tregtinë në shumë vende të botës.
Përmes këtyre aktiviteteve, ai thuhet se tërhoqi vëmendjen e inteligjencës izraelite dhe vendosi kontakt me një person me emrin e koduar "Ali Ahmed Yassin", i përshkruar si përfaqësues i një kompanie fasadë të Mossadit.
Sipas burimeve, Yassin e ka vizituar Deryan në zyrën e tij në vitin 2012, duke i thënë se kompania e tij dëshironte të bënte biznes me të dhe duke e ftuar në një vend evropian për të takuar eprorët e tij.
- U takua me zyrtarë të Mossadit të paraqitur si proanarë kompanish
Duke e parë takimin si një mundësi biznesi, Derya udhëtoi drejt Evropës në vitin 2013 dhe u takua me persona të përshkruar si operativë të inteligjencës izraelite, të paraqitur si pronarë kompanish.
Gjatë takimit, diskutimet u përqendruan te biznesi i mermerit dhe një operativ me emrin e koduar "Luis" dyshohet se e udhëzoi Deryan të punësonte Veysel Kerimoglun, një shtetas turk me prejardhje palestineze.
Pas punësimit të Kerimoglut, Derya thuhet se u udhëzua të raportonte rregullisht mbi aktivitetet e tyre.
Në të njëjtën kohë, Yassin dyshohet se e inkurajoi Kerimoglun të punonte me Deryan. Burimet e sigurisë thanë se Derya krijoi një marrëdhënie profesionale dhe personale me Kerimoglun, ndërsa paga e tij thuhet se financohej nga operativë të inteligjencës.
- Informuan për çdo hap që ndërmerrnin
Më pas, Derya zgjeroi aktivitetet tregtare drejt vendeve të Lindjes së Mesme përmes Kerimoglut dhe krijoi lidhje shoqërore dhe biznesi me palestinezë kundërshtarë të politikave të Izraelit ndaj vendeve të rajonit.
Informacionet e mbledhura për këta persona thuhet se u ndanë me inteligjencën izraelite.
Burimet thanë se Derya kërkoi gjithashtu leje për të hyrë në Gaza përmes lidhjeve tregtare të krijuara në kuadër të politikave izraelite ndaj Gazës dhe dërgoi te inteligjenca izraelite fotografi të depove që po i shqyrtonte atje.
Kerimoglu, duke kërkuar të diversifikonte aktivitetet përtej mermerit, propozoi në fillim të vitit 2016 që të nisnin tregtinë e pjesëve të dronëve.
Burimet e sigurisë thanë se Derya e informoi menjëherë Mossadin për këtë propozim dhe, pas miratimit nga inteligjenca izraelite, mostrat fillestare u siguruan nga shërbimi.
Një nga personat të cilëve Derya dhe Kerimoglu dyshohet se tentuan t'u shisnin dronë, i njohur si "Mohamed Zouari", u vra në Tunizi në vitin 2016, sipas dyshimeve, nga inteligjenca izraelite.
Autoritetet thanë se Derya ka mbajtur marrëdhënie me inteligjencën izraelite nga viti 2013 deri së fundmi, duke zhvilluar takime në vende të ndryshme evropiane me operativë që përdornin emra të koduar si Luis, Jesus/Jose, Dr. Roberto/Ricardo, Dan/Dennis, Mark, Elly/Emmy dhe Michael.
- Kaloi testet e Mossadit
Inteligjenca izraelite thuhet se ka theksuar ruajtjen e rreptë të sekretit gjatë gjithë operacionit dhe i ka siguruar Deryas sisteme komunikimi të enkriptuara.
Si pjesë e masave të sigurisë, Derya i është nënshtruar një testi poligrafik në një vend aziatik në vitin 2016, të cilin thuhet se e kaloi me sukses.
Pas këtij testi, ai thuhet se e kuptoi seriozitetin e operacionit dhe u bë më i kujdesshëm.
Një test i dytë poligrafik dyshohet se u krye në vitin 2024 në një hotel në një vend evropian, të cilin ai gjithashtu e kaloi, duke kaluar në një nivel më të lartë operacional.
Sipas burimeve të sigurisë, me udhëzime të operativëve të Mossadit, Derya bleu karta SIM, modemë interneti dhe pajisje ruterësh nga Turqia dhe vende të tjera, duke dërguar fotografi të etiketave me fjalëkalime, numra serikë, informacione prodhimi dhe adresa MAC te kontaktet e tij.
- U kapën duke u përgatitur të krijonin kompani fasadë
Autoritetet thanë se gjatë një takimi kyç me zyrtarë të Mossadit jashtë vendit këtë janar, u diskutuan planet që Derya të krijonte një kompani fasadë jashtë vendit për qëllime operative.
Plani thuhet se synonte depërtimin në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit tregtar përmes kompanive "guaskë".
Sipas skemës, produktet e siguruara nga vende të përzgjedhura nga Mossadi do të koordinoheshin për t'u dërguar te vendi i përdoruesit përfundimtar, i identifikuar nga inteligjenca izraelite.
Skema përfshinte tri kompani legjitime që vepronin në vende aziatike: njëra për të blerë produkte dhe për t'i ripaketuar, tjetra për t'i ruajtur përkohësisht dhe e treta për t'i eksportuar te kompania e përdoruesit përfundimtar.
Kompania fasadë që do të krijohej nën drejtimin e Deryas do të mbikëqyrte gjithë zinxhirin e furnizimit, nga blerja deri te eksporti, në emër të inteligjencës izraelite.
Gjatë takimit të janarit, u diskutuan gjithashtu hapja e llogarive bankare, krijimi i një faqeje interneti, hapja e llogarive në rrjete sociale dhe kërkimi i kompanive partnere të mundshme.
Derya dhe Kerimoglu, të cilët kishin qenë nën vëzhgimin e MIT-it, u ndaluan në Stamboll në kuadër të asaj që autoritetet e quajtën "Aktiviteti MONITUM", i realizuar në bashkëpunim mes MIT-it, Prokurorisë së Përgjithshme Publike të Stambollit dhe njësisë kundër terrorizmit të Policisë Provinciale të Stambollit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
