Turqia, Kulturë

Göbeklitepe, "Pika zero në histori"

Lokaliteti u radhit në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 2018, duke njohur vlerën e jashtëzakonshme universale

Abdula Berisha  | 24.09.2021 - Përdıtësım : 27.09.2021
Göbeklitepe, "Pika zero në histori" Foto: Abdula Berisha / AA

Şanlıurfa

Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë dhe Agjencia turke e Zhvillimit dhe Promovimit të Turizmit (TGA) këtë javë organizojnë programin "Taş Tepeler" për promovimin e lokaliteteve arkeologjike të Epokës Neolitike që ndodhen në Turqinë juglindore. Në këtë program marrin pjesë arkeologë dhe gazetarë nga e gjithë bota, ndërsa pjesë e saj është edhe përfaqësia e Anadolu Agency (AA) në Shkup.

Ndër lokalitetet më të rëndësishme të vizituara deri më tani është "Göbeklitepe", i cili ndodhet në afërsi të qytetit Şanlıurfa dhe i cili është i vjetër mbi 11.500 vjet, respektivisht daton rreth vitit 9.500 p.e.s. Në të ndodhen struktura rrethore me shtylla shkëmbi që besohet të kenë shërbyer si tempull, e që paraqesin megalitete më të vjetra në botë të zbuluara deri më tani.

Shtyllat prej guri, më e madhja e të cilave është rreth 5,5 metra e lartë dhe peshon rreth 15 tonë, janë në formën T, ndërsa në to janë të gdhendura portrete njerëzish dhe kafshë të ndryshme.

Arkeologu përgjegjës për gërmimet në Göbeklitepe, Lee Clare, pjesë e Institutit Arkeologjik Gjerman, duke rrëfyer për lokalitetin thotë se ai ka potencialin për të ndryshuar historinë e njerëzimit siç e kemi njohur deri më tani. Sipas tij, ky lokalitet dëshmon për ndryshime të mëdha në mënyrën e jetesës së njerëzve të asaj kohe, siç është bujqësia, fillimi i ruajtjes së kafshëve shtëpiake që janë përdorur për bujqësi, duke shtuar se para kësaj, njerëzit kryesisht janë marrë me gjueti.

Ai këtë e mbështet edhe në gjetjet e shumta në lokalitetin arkeologjik, që përfshijnë mjete primitive pune siç janë gurët e gdhendur.

Arkeologu Clare thotë se nuk mund të dihet saktë se për çka ka shërbyer struktura. Megjithatë, ai është i bindur se ndërtimi i saj ka kontribuuar në zhvillimin e hershëm të bujqësisë, pasi është dashur të ushqehen dhe mirëmbahen njerëzit e shumtë që janë marrë me ndërtimin e saj.

Në kuadër të lokalitetit arkeologjik ndodhet edhe një qendër për vizitorët ku janë shfaqur disa nga gjetjet arkeologjike. Qendra gjithashtu është e pajisur me kinema ku shfaqen pamje filmike për vizitorët, e njëri ndër ta është edhe dokumentari "Pika zero në histori" (Zero point in time) i përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë dhe i realizuar në bashkëpunim mes organizatës joqeveritare "Doğuş Group" dhe National Geographic.

Gërmimet dhe konservimi

Hulumtimet e para në lokalitetin arkeologjik Göbeklitepe janë bërë në vitin 1963 nga Universiteti i Stambollit dhe Universiteti i Çikagos. Rëndësia e lokalitetit u vërejt nga arkeologu gjerman Klaus Schmidt, i cili udhëhoqi gërmimet e para që filluan në vitin 1995. Që atëherë kanë vijuar gërmimet, ndërsa deri më tani besohet se është gërmuar vetëm një përqindje e vogël e lokalitetit të tërë.

Lokaliteti u radhit në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 2018, duke njohur vlerën e jashtëzakonshme universale.

Në kuadër të programit u organizuan edhe seminare me pjesëmarrje të arkeologëve dhe përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, ku u theksua nevoja për bashkëpunim mes institucioneve qeveritare, organizatave joqeveritare dhe popullsisë vendase.

Muzeu Arkeologjik i Şanlıurfa-s

Gjatë programit është vizituar edhe Muzeu Arkeologjik dhe Mozaikeve i Şanlıurfa-s. Në të janë shfaqur gjetjet e shumta nëpër më shumë lokalitete arkeologjike përreth si dhe është bërë një rindërtim i strukturës në "Göbeklitepe", si do të dukej ajo në të vërtetë.

Ndër gjetjet tjera më të rëndësishme që shfaqen në këtë muze, është statuja "Njeriu i Urfës", e cila është gjetur në pjesën e vjetër të qytetit Şanlıurfa rreth liqenit Balıklıgöl dhe e cila daton rreth vitit 9.000 p.e.s, që e bën atë statujën më të vjetër të njeriut të gjetur deri më tani. Statuja është rreth 1,9 metra e gjatë, ndërsa është gjetur në vitin 1993 gjatë disa aktiviteteve ndërtimore.

Gjithashtu, në kuadër të muzeut janë të shfaqura edhe mozaikë të periudhës helene, romake dhe bizantine.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın