Turqia

Forumi Ndërkombëtar i Familjes në Stamboll eksploron ndikimin e digjitalizimit në jetën familjare

Forumi, me temë "Mbrojtja dhe forcimi i familjes përballë sfidave globale", organizohet nga Ministria e Familjes dhe Shërbimeve Sociale të Turqisë, ndërsa Anadolu shërben si partner global i komunikimit

Sercan İrkin, Fatma Nur Duman Arı, Başak Akbulut Yazar  | 23.05.2025 - Përdıtësım : 23.05.2025
Forumi Ndërkombëtar i Familjes në Stamboll eksploron ndikimin e digjitalizimit në jetën familjare

Stamboll

Dita e dytë e Forumit Ndërkombëtar të Familjes në Stamboll është hapur me panelin "Të jesh familje në epokën e ekraneve", ku u diskutua për ndikimin e digjitalizimit dhe konfliktit në strukturat familjare.

Forumi, me temë "Mbrojtja dhe forcimi i familjes përballë sfidave globale", organizohet nga Ministria e Familjes dhe Shërbimeve Sociale të Turqisë, ndërsa Anadolu shërben si partner global i komunikimit.

Paneli theksoi se mes trazirave digjitale dhe shoqërore, familja mbetet gurthemeli i qëndrueshmërisë dhe zhvillimit.

Ministrja palestineze e Zhvillimit Social, Samah Hamad, e cila foli në panel, tërhoqi vëmendjen për kushtet e rënda në Gaza.

"Vuajtjet që durojnë palestinezët nën agresionin izraelit është përtej fjalës. Imagjinoni traumën dhe kequshqyerjen që prek fëmijët e lindur dhe të rritur në këto kushte. Ne besojmë se kjo situatë e padrejtë dhe e paligjshme përfundimisht do të marrë fund, por fatkeqësisht efektet e saj do të vazhdojnë për breza", tha Hamad.

Pavarësisht bllokadave dhe shkatërrimeve, ajo pohoi se arsimi mbetet prioritet.

"Pavarësisht kësaj padrejtësie të vazhdueshme, palestinezët do të rindërtojnë jetën e tyre dhe ne do të bëhemi një qendër teknologjike në Lindjen e Mesme", tha Hamad.

Kryetarja e Fondacionit NUN për Arsimin dhe Kulturën, Esra Albayrak, paralajmëroi për rritje të shkëputjes digjitale brenda familjeve.

"Prindërit jo vetëm që po shkëputen nga fëmijët e tyre, por shpesh edhe nga njëri-tjetri. Koha e shpenzuar në mediat sociale redukton kontaktin me sy dhe kufizon bisedat dhe përvojat e përbashkëta brenda familjeve", tha ajo.

Ajo gjithashtu theksoi rolin e qëndrueshëm të familjes në formësimin e identitetit dhe vlerave, duke i ftuar të pranishmit të mbështesin një konventë të sapo nisur digjitale për të drejtat e fëmijëve.

Profesori Medaim Yanık nga Universiteti Ibn Haldun në fjalën e tij përkrahu politika më të forta sociale dhe ekonomike për të forcuar familjet, duke theksuar: "Një familje e qëndrueshme ekonomikisht është një familje më e fortë. Varfëria thyen familjet. Siguria e arsyeshme ekonomike luan një rol mbrojtës".

Olivier Yao, president i Federatës Ndërkombëtare për Zhvillimin e Familjes në Bregun e Fildishtë, nga ana e tij, tha se "kundërhelmi më i mirë është familja dhe ajo mbetet ilaçi për betejat me të cilat përballemi".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.