Turqia

Erdoğan: Është shumë e rëndësishme që Gaza të mbetet tokë e popullit palestinez dhe ata ta qeverisin

"Trump na kërkoi veçanërisht të flasim me Hamasin dhe t’i bindim ata dhe ne menjëherë kontaktuam me bashkëbiseduesit tanë për këtë çështje”, tha Erdoğan lidhur me planin e armëpushimit të presidentit amerikan në Gaza

Büşra Nur Çakmak  | 08.10.2025 - Përdıtësım : 08.10.2025
Erdoğan: Është shumë e rëndësishme që Gaza të mbetet tokë e popullit palestinez dhe ata ta qeverisin

Ankara

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se është “shumë e rëndësishme” që Gaza të mbetet tokë e popullit palestinez dhe që ata përfundimisht ta qeverisin enklavën, raporton Anadolu.

Duke folur me gazetarët në rrugën e kthimit nga Azerbajxhani, ku mori pjesë në një samit të Organizatës së Shteteve Turke, presidenti Erdoğan tha se gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA dhe në një telefonatë me presidentin Donald Trump, ai shpjegoi se si mund të arrihet një zgjidhje në Palestinë.

Lidhur me planin e armëpushimit të presidentit amerikan në Gaza, Erdoğan tha se, “Trump na kërkoi veçanërisht të flasim me Hamasin dhe t’i bindim ata dhe ne menjëherë kontaktuam me bashkëbiseduesit tanë për këtë çështje”.

“Hamasi na tregoi përgjigjen e tij se është i gatshëm për paqe dhe negociata. Në mendimin tim, ky është një hap shumë i vlefshëm”, shtoi ai.

Duke komentuar mbi Flotiljen Globale "Sumud", e cila u sulmua nga Izraeli javën e kaluar, Erdoğan tha se Turqia e monitoroi nga afër procesin me mjete ajrore pa pilot dhe anije. Presidenti turk tha se ai personalisht monitoroi lëvizjet e misionit të ndihmës përmes pamjeve të dronit Akinci.

Erdoğan argumentoi se siguria në Gaza dhe krijimi i një force stabilizimi mund të vlerësohen dhe se ai i kushton rëndësi të madhe negociatave të vazhdueshme për armëpushim në Sharm el-Sheikh të Egjiptit.

Duke iu referuar Sirisë, presidenti turk tha se “Forcat Demokratike Siriane duhet ta mbajnë premtimin e tyre dhe të përfundojnë integrimin e tyre me Sirinë”.

“Aleanca turko-kurdo-arabe është çelësi për paqe dhe qetësi të qëndrueshme në rajon”, theksoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.