Erdogan: Turqia po bën hapa revolucionarë në fushën e mbrojtjes
Turqia po shfrytëzon burimet e veta për të ndërtuar një infrastrukturë ushtarake të pavarur, tha presidenti turk në prag të ndërrimit të motmoteve
Ankara
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha sot se Ankaraja po ndërmerr hapa transformues në sektorin e mbrojtjes për të siguruar stabilitetin rajonal dhe global, në përputhje me parimin e politikës së jashtme të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë – “Paqe në shtëpi, paqe në botë”, transmeton Anadolu.
Duke përmendur përpjekjet për forcimin e unitetit të brendshëm dhe zhvillimet transformuese, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, Erdogan tha: “Ne jemi në një luftë të fuqishme për të siguruar stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”.
Ai foli përmes telefonit me trupat e mbledhur në Komandën e Shkollës së Artilerisë dhe Raketave në rrethin Polatli të kryeqytetit Ankara, në natën e Vitit të Ri.
Erdogan theksoi zgjerimin e arsenalit dhe kapaciteteve vendase të Turqisë, duke përfshirë tanket “Altay”, topat “Firtina”, helikopterët ATAK, dronët e armatosur dhe të paarmatosur, raketat me rreze të gjatë, sistemet e mbrojtjes ajrore, anijet luftarake, nëndetëset dhe mjetet detare pa pilot.
“Po bëjmë një hap të madh përpara në të gjitha fushat e mbrojtjes”, tha ai, duke theksuar se vendi po shfrytëzon burimet e veta për të ndërtuar një infrastrukturë ushtarake të pavarur.
Pavarësisht “sfidave dhe pengesave serioze”, Erdogan tha se Turqia ka shfrytëzuar një “mundësi historike” për të kthyer përfitimet e saj të fundit në arritje të qëndrueshme.
Presidenti riafirmoi angazhimin e qeverisë për të forcuar më tej vendin dhe për t’u lënë brezave të ardhshëm një “Turqi të re, të fortë dhe të madhe”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
