Erdoğan: Turqia do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes për Gazën në terren
"Qëllimi ynë është të ndalojmë gjenocidin në Gaza dhe të sjellim paqe në rajon sa më shpejt të jetë e mundur", tha presidenti turk

Stamboll
Turqia do të marrë pjesë në një grup pune për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza në terren, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke iu drejtuar ceremonisë së hapjes së vitit akademik të arsimit të lartë 2025-2026 në Ankara, raporton Anadolu.
Erdoğan e përshkroi ndihmën urgjente humanitare, shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, si dhe ndalimin e menjëhershëm të sulmeve izraelite si "me rëndësi kritike", duke shtuar se Turqia do të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit dhe për të ndihmuar në rindërtimin e Gazës.
"Qëllimi ynë është të ndalojmë gjenocidin në Gaza dhe të sjellim paqe në rajon sa më shpejt të jetë e mundur", tha presidenti turk.
Ai theksoi se "askush në botë nuk e meriton paqen, sigurinë dhe stabilitetin më shumë se populli i Gazës".
Deklaratat e presdientit Erdoğan erdhën pasi u arrit një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit të enjten herët në Sharm el-Sheikh, Egjipt, bazuar në një plan 20-pikësh të paraqitur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Faza e parë e planit kërkon një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, tërheqje graduale të Izraelit nga një vijë e rënë dakord në Gaza dhe hyrjen e ndihmës humanitare, së bashku me mbështetjen ndërkombëtare për rindërtim.
Marrëveshja erdhi pas disa ditësh negociatash në qytetin e Detit të Kuq, me zyrtarë të lartë nga Katari, Turqia, Egjipti dhe SHBA-ja që iu bashkuan delegacioneve.
"Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të Planit tonë të Paqes", shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
"Falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë ngjarje historike dhe të pashembullt", tha ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.