Erdoğan: Türkiye përshëndet qëndrimin e Trumpit që "merr parasysh ndjeshmëritë e saj"
"Besoj se unë dhe miku im Trump do të sjellim një momentum shumë ndryshe në marrëdhëniet SHBA-Türkiye në ditët në vijim", tha presidenti Erdoğan

Istanbul
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se Türkiye përshëndet qëndrimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që "merr parasysh ndjeshmëritë e saj", duke shtuar se ata si dy liderë e kuptojnë njëri-tjetrin për çështjen e Sirisë, raporton Anadolu.
"Besoj se unë dhe miku im Trump do të sjellim një momentum shumë ndryshe në marrëdhëniet SHBA-Türkiye në ditët në vijim", tha presidenti Erdoğan gjatë kthimit nga vizita në Itali.
Ai theksoi se në rastin e parë do të takohet ballë për ballë me presidentin Trump, duke shtuar se biseda e tyre telefonike ishte "mjaft e ngrohtë, produktive dhe miqësore".
Erdoğan foli gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit në Siri, duke i quajtur sulmet e Izraelit në territorin sirian një përpjekje për të minuar klimën pozitive që filloi me qeverinë e re në Damask.
Ai tha se struktura federale e Sirisë nuk është gjë tjetër veçse një ëndërr e pashpresë pa vend në realitetin e Sirisë.
Lidhur me lidhjet dypalëshe me Italinë, Erdoğan theksoi se Ankaraja dhe Roma po eksplorojnë bashkëpunimin jo vetëm në industrinë e mbrojtjes, por edhe në sektorë të teknologjisë së lartë si aviacioni dhe hapësira.
Erdoğan tha se transferimet reciproke të teknologjisë midis dy vendeve do të forcojnë industrinë e brendshme të mbrojtjes së Türkiyes dhe do t'i ofrojnë Italisë perspektiva të reja dhe energji.