Erdoğan: Türkiye midis 3 vendeve kryesore në botë në teknologjinë e dronëve
Në fjalën e tij në TEKNOFEST, Erdoğan u zotua të vazhdojë të përparojë në këtë fushë me vendosmëri dhe entuziazëm të palëkundur.

Istanbul
Në një fjalim të mbajtur në Ceremoninë e Çmimeve të festivalit teknologjik TEKNOFEST në Lefkosha të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan njoftoi se Türkiye renditet ndër tre vendet kryesore në botë në teknologjinë e mjeteve ajrore pa pilot (UAV), raporton Anadolu.
Erdoğan u zotua të vazhdojë të përparojë në këtë fushë me vendosmëri dhe entuziazëm të palëkundur.
Ai shprehu besim në të ardhmen, duke shtuar: “Me të rinjtë e TEKNOFEST-it, projektet që po ngrihen në gjithë TRNC-në dhe iniciativat tona strategjike, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu për shekuj me radhë”.
“Ne, si komb turk dhe qipriotë turq, jemi pronarët e këtyre tokave. Ata që nuk e dinë këtë duhet ta dinë, dhe ata që nuk kanë dëgjuar duhet ta dëgjojnë”, deklaroi Erdoğan, duke riafirmuar marrëdhëniet e forta të Türkiyes me Qipron Turke.
Presidenti i TRNC-së, Ersin Tatar, nga ana e tij, vlerësoi gjithashtu arritjet e industrisë mbrojtëse të Türkiyes, duke thënë: “Institucionet pas sukseseve të fundit të Türkiyes në industrinë kombëtare të mbrojtjes janë monumente krenarie për gjithë botën turke”.
Festivali i teknologjisë, aviacionit dhe hapësirës në Türkiye, TEKNOFEST, pati edicionin e tij të fundit në TRNC dhe tërhoqi mijëra njerëz në Lefkosha, duke pritur rreth 62.000 vizitorë në ditën e parë të eventit katërditor.