Turqia

Erdoğan: SHBA jo e unifikuar lidhur me tërheqjen nga Siria

Presidenti Erdoğan theksoi se Turqia ende nuk ka zbuluar të gjitha dokumentet që zotëron për vrasjen e Khashoggit

Ali Bayaslan  | 15.02.2019 - Përdıtësım : 16.02.2019
Erdoğan: SHBA jo e unifikuar lidhur me tërheqjen nga Siria

Stamboll

ANKARA (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se administrata e presidentit amerikan Donald Trump nuk duket se ka shfaqur qëndrim të unifikuar mbi tërheqjen e forcave të saj nga Siria, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë televizive, Erdoğan vlerësoi samitin trepalësh të mbajtur në qytetin turistik rus të Soçit me liderët e Rusisë dhe Iranit, duke thënë se takimi ishte "shumë produktiv dhe i dobishëm".

Ai tha se samiti tjetër i ardhshëm mbi konfliktin sirian do të mbahet në Turqi.

Po ashtu, Erdoğan përsëriti nevojën që Washingtoni të mbajë premtimin për të larguar grupin terrorist YPG/PYD/PKK nga Munbixhi i Sirisë në perëndim të lumit Eufrat, duke theksuar se ende nuk ka pasur një hap në këtë drejtim.

"Munbixhi në të vërtetë nuk është vendi i këtyre organizatave terroriste", tha ai, duke shtuar se popullsia atje është 85-90 për qind arabe.

"Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për sigurinë tonë kombëtare", tha presidenti turk.

Në dhjetor, presidenti amerikan Trump njoftoi në mënyrë të papritur se SHBA do të tërheqë të gjitha trupat e saj nga Siria dhe tha DEASH-i ishte mposhtur në këtë vend.

Që atëherë, megjithatë, asnjë nga trupat nuk është tërhequr, ndërsa Pentagoni konfirmoi muajin e kaluar se trupa shtesë po dërgoheshin për të mbrojtur forcat amerikane dhe pajisjet gjatë përgatitjes për t'u larguar.

- Vrasja e Khashoggit

Lidhur me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, Erdoğan theksoi se CIA ende nuk i ka dhënë peshën e saj kësaj çështjeje, duke shtuar se Washingtoni duhet japë peshën e tij për një hetim.

Erdoğan theksoi se Turqia ende nuk ka zbuluar të gjitha dokumentet që zotëron për vrasjen e Khashoggit dhe se Ankaraja është "e vendosur" ta bartë çështjen në gjykata ndërkombëtare.

Khashoggi u vra brutalisht në Konsullatën Saudite në Stamboll pak pasi hyri në objektin diplomatik më 2 tetor të vitit të kaluar. Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte një operacion jashtë kompetencave dhe dijenisë së qendrës.

- Macron dhe i ashtuquajturi "gjenocid armen"

Erdoğan tha se presidenti francez Emmanuel Macron duhet të mësojë historinë përpara se t'u japë leksion të tjerëve për gjenocidet.

"Nuk ka diçka të tillë si gjenocid në historinë tonë", tha ai, duke shtuar se Macron duhet të jetë i kujdesshëm para se të shqiptojë fjalë të tilla.

Erdoğan tha se Franca është përfshirë në shumë masakra të përgjakshme të kryera gjatë rrjedhës së historisë.

"Midis viteve 1872-1954, Vietnami. Më shumë se 500.000 vietnamezë u masakruan nga francezët", tha ai.

Ai theksoi po ashtu se Franca masakroi shumë njerëz në revoltat kundër pranisë së saj koloniale në Algjeri.

- Terrorizmi

Erdoğan kritikoi Washingtonin për armatosjen e grupit terrorist të YPG/PKK, duke thënë se SHBA ka dërguar 23.000 kamionë të ngarkuar me armë për terroristët.

Duke rikujtuar premtimin e SHBA-së për të mbledhur armët nga grupet terroriste, ai tha se të njëjtat fjalë ishin thënë dikur nga ish-presidenti George W. Bush.

"Kur SHBA hyri në Irak, Bush tha se do të mbledhin armët gjatë tërheqjes", theksoi presidenti i Turqisë.

"Por, gjatë luftës kundër grupeve terroriste, kuptuam se armët amerikane ishin atje", shtoi Erdoğan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın