Erdoğan: Ideologjikisht, Netanyahu është si një i afërm i Hitlerit
"Ashtu si Hitleri nuk mundi ta parashikonte disfatën që e priste, Netanyahu do të përballet me të njëjtin fat përfundimtar", tha Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan

Stamboll
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kritikoi ashpër kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për sulmin e Izraelit ndaj ekipit negociator të Hamasit në Katar javën e kaluar, duke thënë: "Ideologjikisht, Netanyahu është si një i afërm i Hitlerit", raporton Anadolu.
"Ashtu si Hitleri nuk mundi ta parashikonte disfatën që e priste, Netanyahu do të përballet me të njëjtin fat përfundimtar", shtoi Erdoğan, ndërsa kthehej nga Doha, ku mori pjesë në një samit urgjent arabo-islam pas sulmit ajror izraelit.
Erdoğan e quajti sulmin ndaj ekipit negociator të Hamasit "një sfidë të hapur ndaj rendit ndërkombëtar dhe ligjit ndërkombëtar" dhe tha se udhëheqja e Izraelit e ka "shndërruar mentalitetin e tyre radikal në asgjë më shumë se një rrjet vrasës të ndërtuar mbi ideologjinë fashiste".
Presidenti turk iu referua gjithashtu njohjes së Palestinës nga vendet perëndimore, duke thënë se kjo do të ushtronte presion të mëtejshëm mbi Izraelin dhe duke u zotuar ta ngrejë përsëri çështjen në Kombet e Bashkuara (OKB).
Ai shprehu shpresën se "fronti i njerëzimit do të fitojë mbështetje më të gjerë" në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet në ditët në vijim.
Erdoğan gjithashtu foli edhe për diplomacinë turke në Libi, duke theksuar mbrojtjen e sovranitetit dhe unitetit të vendit. "Ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin politik të Libisë, dhe të gjitha veprimet tona udhëhiqen nga këto objektiva", tha ai.
Ai vuri në dukje se Turqia ka mbështetur qeverinë legjitime të Tripolit që nga fillimi, ndërsa politikat e fundit kanë kërkuar gjithashtu të hapin kanale diplomatike me Libinë lindore. "Kjo pasqyron përpjekjet shumëdimensionale diplomatike të Turqisë, vizionin rajonal dhe angazhimin për arritjen e paqes", u shpreh Erdoğan.
Ai shtoi se miratimi nga administrata e Benghazit i marrëveshjes së juridiksionit detar të nënshkruar midis Turqisë dhe Tripolit do të ishte një "fitim i rëndësishëm sipas ligjit ndërkombëtar".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.