Erdogan i përcjell Trumpit "ndjeshmëritë" e Ankarasë, kërkon të ruhet stabiliteti i Venezuelës
Ankaraja do të vazhdojë të qëndrojë në krah të “popullit mik të Venezuelës në luftën e tyre për prosperitet, paqe dhe zhvillim”, tha Erdogan në një fjalim pas mbledhjes së kabinetit në kryeqytetin turk
Stamboll
Presidenti i turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se ka përcjellë "ndjeshmëritë" e Ankarasë në një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, duke kërkuar që Venezuela të mos lihet të shkojë drejt paqëndrueshmërisë, raporton Anadolu.
Ankaraja do të vazhdojë të qëndrojë në krah të “popullit mik të Venezuelës në luftën e tyre për prosperitet, paqe dhe zhvillim”, tha Erdogan në një fjalim pas mbledhjes së kabinetit në kryeqytetin turk.
Ai paralajmëroi se shkelja e sovranitetit të vendeve dhe mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare janë hapa të rrezikshëm që mund të shkaktojnë “komplikime serioze globale”.
Ankaraja nuk miraton kurrë asnjë veprim që shkel ligjin ndërkombëtar, shtoi Erdogan, duke theksuar se turqia përpiqet të bëjë atë që është më e mira si për popullin turk, ashtu edhe për “kombin vëlla venezuelas”.
Turqia është në “vijën e parë” të vendeve që mbrojnë drejtësinë, legjitimitetin dhe të drejtën ndërkombëtare, theksoi ai.
Presidenti tha se Turqia po bën një hap gjigantë “që bota i ndjek me vëmendje, vlerësim dhe shpesh admirim”, dhe se “askush nuk mund të na pengojë”.
“Ata që synojnë ta zhysin rajonin tonë në gjakderdhje do të përpiqen të na nxjerrin jashtë ekuacioni, por ne nuk do të biem pre e kësaj”, shtoi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
