Erdoğan: Do të punojmë për t'i sjellë së bashku në takim Trumpin dhe Putinin Stamboll
“Këtë javë, duke zhvilluar bisedime me Putinin dhe Trumpin, do të përpiqemi të shohim nëse mund t’i bashkojmë këta udhëheqës në Stamboll”, tha presidenti i Turqisë

Stamboll/Ankara
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot se Turqia do të punojë për të sjellë së bashku në një takim presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentin rus, Vladimir Putin, në Stamboll, si pjesë e negociatave që synojnë zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë, raporton Anadolu.
“Këtë javë, duke zhvilluar bisedime me Putinin dhe Trumpin, do të përpiqemi të shohim nëse mund t’i bashkojmë këta udhëheqës në Stamboll”, u tha Erdoğan gazetarëve pas namazit të xhumasë në Stamboll.
Të mërkurën, Moska dhe Kievi zhvilluan raundin e tretë të bisedimeve në Stamboll. Palët shkëmbyen propozime për zhvillimin e ardhshëm të procesit të paqes.
Duke folur për Panairin e 17-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) 2025 në Stamboll, Erdoğan tha: “Progresi i arritur nga IDEF-i në industrinë e mbrojtjes zë një vend të veçantë në skenën globale”.
“Ne gjithashtu kemi filluar të marrim porosi të konsiderueshme dhe këto porosi po vazhdojnë me ritëm të plotë”, tha Erdoğan.
“Në industrinë e mbrojtjes, së pari duhet të vendoseni në një pozicion shumë unik”, deklaroi ai, duke shtuar: “Nëse nuk arrini ta siguroni atë pozicion, thjesht nuk mund ta përballoni me sukses këtë luftë në skenën botërore”.
“Kur morëm detyrën, industria jonë e mbrojtjes kishte një potencial prej rreth 20 miliardë dollarësh, por tani ka arritur një potencial prej rreth 80 miliardë dollarësh dhe shpresojmë se do të bëhemi edhe më të fortë”, theksoi Erdoğan.
Edicioni i 17-të i panairit gjashtëditor të mbrojtjes IDEF, i cili filloi të martën, po mbahet njëkohësisht në Qendrën e Panaireve të Stambollit, Aeroportin Ataturk, Hotelin WOW dhe Marinën Atakoy.
Ai organizohet nga “KFA Fairs” me mbështetjen e Sekretariatit të Industrive të Mbrojtjes të Turqisë dhe Fondacionit të Forcave të Armatosura Turke, ndërsa Anadolu është partner global i komunikimit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.