Turqia

Erdogan dërgon mesazh ngushëllimi për humbjen e pilotit në rrëzimin e avionit turk të zjarrfikësve në Kroaci

"Jemi thellësisht të pikëlluar nga ky aksident tragjik ku ka humbur jetën një nga pilotët tanë. Lutemi për mëshirën e Zotit për dëshmorin tonë dhe shpreh ngushëllimet e mia për familjen e tij, për vendin dhe popullin tonë”, tha Erdogan

İrem Demir  | 14.11.2025 - Përdıtësım : 14.11.2025
Erdogan dërgon mesazh ngushëllimi për humbjen e pilotit në rrëzimin e avionit turk të zjarrfikësve në Kroaci

Stamboll

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka dërguar një mesazh ngushëllimi për humbjen e jetës së pilotit në rrëzimin e një avioni turk të zjarrfikësve në Kroaci, transmeton Anadolu.

“Sonte, morëm lajmin se avioni zjarrfikës i Drejtorisë sonë të Përgjithshme të Pylltarisë, për fat të keq, është rrëzuar në Kroaci. Jemi thellësisht të pikëlluar nga ky aksident tragjik ku ka humbur jetën një nga pilotët tanë. Lutemi për mëshirën e Zotit për dëshmorin tonë dhe shpreh ngushëllimet e mia për familjen e tij, për vendin dhe popullin tonë”, tha presidenti Erdogan në një postim në rrjetin social turk NSosyal.

Më herët, ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ibrahim Yumakli, konfirmoi se mbetjet e avionit të zhdukur ishin gjetur pranë Senjit dhe se piloti kishte humbur jetën në aksident.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë së Turqisë, avioni ishte pjesë e një misioni të planifikuar të mirëmbajtjes në Zagreb. Dy avionë të tipit ‘AT-802’ ishin nisur nga Çanakkale më 12 nëntor, por për shkak të kushteve të pafavorshme të motit kishin kaluar natën në Rijekë.

Sot, ata u nisën drejt Zagrebit, por për shkak të përkeqësimit të motit nisën kthimin për në aeroportin e Rijekës, gjatë të cilës njëri avion u ul me sukses në Rijekë, ndërsa me tjetrin u humb radio kontakti përpara se të rrëzohej në zonën “Krivi Put” pranë qytetit të Senjit.

Qeveria e Kroacisë ka dërguar një mesazh ngushëllimi për Turqinë pasi u konfirmua se në rrëzimin e avionit turk të zjarrfikësve pranë Senjit ka humbur jetën piloti.

“Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq, ka biseduar me homologun e tij turk, Ali Yerlikaya, të cilit i shprehu ngushëllimet e tij për aksidentin tragjik”, tha qeveria kroate në një postim në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.