Turqia

Drejtori ekzekutiv i Anadolu-s merr pjesë në 128-vjetorin e Agjencisë Bullgare të Lajmeve

Serdar Karagoz thekson thellimin e bashkëpunimit mediatik Turqi-Bullgari, ndërsa agjencitë ballkanike mblidhen për festimet e këtij momenti historik

Gizem Nisa Çebi Demir  | 17.02.2026 - Përdıtësım : 17.02.2026
Drejtori ekzekutiv i Anadolu-s merr pjesë në 128-vjetorin e Agjencisë Bullgare të Lajmeve

Stamboll

Serdar Karagoz, president dhe drejtor ekzekutiv i Anadolu-s, të hënën mori pjesë në ngjarjet e 128-vjetorit të BTA-së, agjencisë kombëtare të lajmeve të Bullgarisë si dhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për sondazhin e 52-të "Atleti i Vitit në Ballkan", i cili mblodhi së bashku agjencitë e lajmeve të Ballkanit, përfshirë Anadolu-n.

Kampioni rumun i notit David Popovici fitoi çmimin "Atleti i Vitit në Ballkan" përmes votimit.

Nikola Jokic, një basketbollist serb, u rendit i dyti, ndërsa peshëngritësi bullgar Karlos Nasar zuri vendin e tretë. Basketbollisti turk, Alperen Sengun, i cili luan për Houston Rockets në NBA, u përfshi gjithashtu në renditjen e 10 më të mirëve.


- "Të dyja agjencitë e lajmeve duan që marrëdhëniet Bullgari-Turqi të zhvillohen në çdo platformë"

Duke folur në ceremoni, Karagoz shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në ndarjen e çmimeve "Atleti i Vitit në Ballkan" dhe tha: "BTA është një nga partnerët e Anadolu-s si në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA) ashtu edhe në Shoqatën e Agjencive të Lajmeve në Ballkan (ABNA-SE). Të dyja agjencitë e lajmeve duan që marrëdhëniet Bullgari-Turqi të zhvillohen në çdo platformë".

"Në këtë kuptim, duke mbështetur njëra-tjetrën, ato e kanë përshtatur përmbajtjen e tyre në përputhje me rrethanat. Në këtë anketë sportive, atleti Alperen Sengun u vlerësua gjithashtu në Bullgari", tha ai.

Karagoz theksoi se Agjencia Bullgare e Lajmeve është përqendruar në aktivitetet gazetareske në Ballkan për 128 vjet, duke shtuar: "Shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë 128 viteve; Turqia dhe Bullgaria nuk po përqendrohen në të kaluarën, por në të ardhmen. Ne diskutuam me BTA-në se çfarë mund të jetë e mundur në lidhje me partneritetet Turqi-Bullgari në të ardhmen. Isha i ftuar në Sofje për të festuar 128-vjetorin e BTA-së. I uroj shumë vite të tjera dhe i falënderoj".


- "Anadolu dhe ne ndajmë partneritet që daton shumë vite më parë"

Drejtori i Përgjithshëm i BTA-së, Kiril Valchev tha se ceremonia "Atleti i Vitit në Ballkan", e organizuar që nga viti 1973, u mbajt këtë herë më 16 shkurt, duke shënuar ditën e themelimit të BTA-së. Ai nënvizoi se pjesëmarrja e Anadolu-s në votim kishte kuptim dhe vlerë të veçantë për ta.

Duke theksuar se sondazhi përfaqëson një nga shembujt më të mirë të bashkëpunimit midis agjencive të lajmeve të Ballkanit, Valchev tha: "Anadolu dhe ne ndajmë një partneritet që daton shumë vite më parë dhe në katër vitet e fundit ky bashkëpunim është intensifikuar dhe është forcuar në bazë institucionale".

"Falë marrëveshjes që nënshkruam, sigurohet rrjedhë e përditshme dhe e rregullt lajmesh midis dy agjencive. Përveç kësaj, Byroja e BTA-së në Ankara përbën shtyllë të rëndësishme të bashkëpunimit tonë", tha ai.

Ceremonia përfundoi në mbrëmje me një darkë pritjeje të organizuar për të festuar 128-vjetorin e BTA-së. Ish-drejtorët e përgjithshëm të BTA-së, përfaqësues të agjencive të lajmeve të Ballkanit, të ftuar dhe anëtarë të shumtë të mediave morën pjesë në këtë aktivitet.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.