Turqia

Bukuritë e fshehura në Diyarbakır të Turqisë tërheqin entuziastët e natyrës

Bukuritë e fshehura në Diyarbakır, të cilat dikur ishin të paarritshme për shkak të shqetësimeve të sigurisë, tani po i mirëpresin vizitorët e shumtë.

Aydın Arik, Ömer Yasin Ergin  | 12.07.2025 - Përdıtësım : 14.07.2025
Bukuritë e fshehura në Diyarbakır të Turqisë tërheqin entuziastët e natyrës Foto: Aydın Arik/AA

Diyarbakir

Bukuritë e fshehura në rrethet e Diyarbakırit, Turqi, janë kthyer në destinacion tërheqës për adhuruesit e natyrës.

Bukuritë e fshehura në Diyarbakır, të cilat dikur ishin të paarritshme për shkak të shqetësimeve të sigurisë, tani po i mirëpresin vizitorët e shumtë.

Në veçanti, ishujt e vegjël në brigjet e Liqenit të Digës së Tigrit; kanioni që i ngjan një krokodili me formën e tij në brigjet e Digës Kralkızı; Kalaja e Kefrunit, rreth 5.000-vjeçare, e ndërtuar mbi shkëmbinj në rrethin Kulp dhe zona e piknikut në rrethin Eğil janë bërë destinacione të shpeshta për dashamirësit e natyrës.

- "Maldivet e Diyarbakırit"

Ishujt në Liqenin e Digës së Tigrit në zonën rurale Yoncalı, 15 kilometra larg nga rrethi Ergani, përshkruhen gjithashtu në nivel lokal si "Maldivet e Diyarbakırit".

Rajoni, i cili krijon një bukuri vizuale, është bërë një destinacion i shpeshtë për fotografët dhe dashamirësit e natyrës.

Vizitorët e rajonit jo vetëm që kanë mundësinë të shohin mrekullitë natyrore, por edhe të kalojnë një ditë të këndshme me piknik.

Numri i njerëzve që duan të shohin këtë mrekulli natyrore, e cila është bërë qendra e vëmendjes së vizitorëve vendas dhe të huaj falë atmosferës së paqes dhe sigurisë së krijuar në rajon, po rritet dita-ditës.

- Kanioni i "Krokodilit"

I vendosur brenda zonës rurale Taşağıl të rrethit Dicle, 62 kilometra nga qendra e Diyarbakırit, kanioni, që të kujton formën e një krokodili, tërheq vëmendjen me bukurinë e tij natyrore dhe formacionet interesante shkëmbore.

Vizitorët e rajonit kanë mundësinë të shohin kanionin mrekullibërës natyror pas një shëtitjeje 10-minutëshe përmes pemëve të lisit.

Kanioni së fundmi ka tërhequr vëmendjen e dashamirësve të natyrës nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale.

- Kalaja e Kefrunit

E vendosur në lagjen rurale Konuklu të rrethit Kulp, 170 kilometra nga qendra e Diyarbakırit, Kalaja e Kefrunit, e cila merr emrin nga formacionet shkëmbore dhe ka një histori prej afërsisht 5.000 vjetësh, është bërë një nga bukuritë natyrore më të vizituara nga ata që vizitojnë rajonin.

Vizitorët që udhëtojnë me makinë drejt lagjes Konuklu dhe arrijnë në kështjellë pas një shëtitjeje të shkurtër, kanë mundësinë të shijojnë pamjen e mrekullueshme natyrore nga kështjella.

- Zona e piknikut Selman

E vendosur brenda kufijve të fshatit Selman të rrethit Eğil, 39 kilometra nga qendra e qytetit, zona e piknikut preferohet përgjithësisht nga ata që duan të largohen nga mjedisi i qytetit dhe të bëjnë piknik.

- "Nuk ka më probleme sigurie, po zbulohen vende të reja"

Dekani i Fakultetit të Artit dhe Dizajnit të Universitetit Dicle (DU), Prof. Dr. İrfan Yıldız, për Anadolu tha se Diyarbakıri është një qytet shumë i rëndësishëm në aspektin e kulturës, besimit dhe turizmit natyror.

Yıldız deklaroi se Diyarbakıri është aktualisht qyteti i dytë më i vjetër në botë me 10.000 vjet jetë të pandërprerë dhe se Kalaja historike e Kefrunit në vendbanimin e vjetër të rrethit Kulp është bërë një yll i ndritshëm, veçanërisht vitet e fundit.

- "Bukuritë natyrore në fshat po tërheqin vëmendjen"

Veysi Kaya, kryetari i Shoqatës së Agjencive të Udhëtimit dhe Hotelierëve të Turizmit të Mesopotamisë, deklaroi gjithashtu se Diyarbakıri kohët e fundit ka dalë në pah me turizmin e tij natyror.

Kaya shpjegoi se njerëzit tani kanë dëshirë të eksplorojnë vende të reja dhe se turizmi natyror ka filluar të zhvillohet kohët e fundit në qytet.

"Kjo është arsyeja pse bukuritë natyrore në fshat po tërheqin vëmendjen. Njerëzit po kërkojnë emocione të reja. Diyarbakıri është një qytet që ka kapacitetin për t'iu përgjigjur këtyre emocioneve. Jo vetëm qendra e qytetit, por edhe rrethet e tij tërheqin vizitorë", tha Kaya.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın