Besimtarët muslimanë falën namazin e Kurban Bajramit në xhamitë simbol të Stambollit
Një numër i madh njerëzish, përfshirë turistë vendas dhe të huaj, që erdhën në Xhaminë e Madhe Ajasofja, formuan radhë të gjata për të hyrë në xhami

Stamboll
Besimtarët muslimanë falën me pjesëmarrje intensive namazin e Kurban Bajramit në xhamitë simbol të Stambollit në Turqi, raporton Anadolu.
Për namazin e Bajramit besimtarët u mblodhën dhe filluan t'i mbushin xhamitë me namazin e sabahut në Xhaminë e Madhe Ajasofja (Ayasofya i Kebir Cami-i Şerifi), xhaminë Fatih, Süleymaniye, Sultanahmet (Xhamia Blu), Eyüpsultan, Taksim dhe Büyük Çamlıca.
Një numër i madh njerëzish, përfshirë turistë vendas dhe të huaj, që erdhën në Xhaminë e Madhe Ajasofja, formuan radhë të gjata për të hyrë në xhami. Disa prej tyre erdhën me fëmijët e tyre ndërsa disa turistë të huaj erdhën me kostumet e tyre lokale.
Brendësia e xhamisë u mbush para kohës së namazit të Bajramit dhe ata që nuk gjetën vend brenda u rreshtuan në sheshin Ayasofya dhe qëndruan në rreshta mbi qilimat, shtrojet e namazit që sollën me vete. Disa turistë të huaj bënë fotografi për të përkujtuar ditën, ndërkohë besimtarë pas namazit festuan Bajramin me njëri-tjetrin.
Në mesin e atyre që falën namazin e Kurban Bajramit në Xhaminë e Madhe Ajasofja ishte edhe guvernatori i Stambollit, Davut Gül i shoqëruar nga drejtori i policisë së Stambollit, Selami Yıldız dhe komandanti i xhandarmërisë së qytetit, gjeneral majori Yusuf Kenan Topcu.
Ndërsa ministri i rinisë dhe sportit, Osman Aşkın Bak e fali namazin e Kurban Bajramit në xhaminë Fatih dhe u shoqërua nga kryetari i bashkisë Fatih, M. Ergün Turan.
Qytetarët u tubuan intensivisht edhe në xhamitë perandorake si Eyüpsultan, Fatih dhe Süleymaniye për namazin e Bajramit ndërsa ata që nuk mund të futeshin brenda xhamive e kryenin namazin në oborre. Pas namazit, besimtarët, të cilët festuan Bajramin, i ofruan njëri-tjetrit ëmbëlsira si çokollata, llokum dhe karamele.
Në hutbet, ligjëratat e mbajtura u shpjegua rëndësia e adhurimit të kurbanit, u tha se festat janë ditë kur forcohet uniteti dhe solidariteti si dhe u theksua rëndësia e vizitave tek të afërmit dhe e dhënies fund të mërive. Gjithashtu në lutjet e kryera pas namazit nëpër xhami u përfshi edhe Rripi i Gazës.