Bayraktar TB3 UCAV kryen operacion të suksesshëm me mjetin detar pa pilot kamikaz Albatros-S
Kompania tha se mjetet detare kamikaz pa pilot Albatros-S janë të gatshme të kthehen në elementë vendimtarë në operacionet detare
Stamboll
Baykar, mjeti i ri luftarak ajror pa pilot (UCAV) i gjigantit turk të dronëve Bayraktar TB3 dhe mjeti detar pa pilot kamikaz Albatros-S i kompanisë së mbrojtjes Aselsan kanë kryer operacion të suksesshëm të përbashkët, duke demonstruar fuqinë e aftësisë së përbashkët operative, transmeton Anadolu.
“Bayraktar TB3 i lëshuar nga TCG Anadolu, mundësoi komandimin dhe kontrollin me rreze të gjatë të mjetit detar kamikaz pa pilot Aselsan Albatros-S”, shkroi Aselsan në platformën turke të mediave sociale NSosyal.
Kompania tha se me zgjerimin e ndjeshëm të kapaciteteve të komandimit dhe kontrollit nga Bayraktar TB3, mjetet detare kamikaz pa pilot Albatros-S janë të gatshme të kthehen në elementë vendimtarë në operacionet detare.
“Kjo arritje e madhe u vëzhgua në terren nga delegacione të nivelit të lartë nga e gjithë bota”, shtoi ajo.
Delegacione ushtarake nga Italia, Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Japonia dhe Brazili morën pjesë në demonstrim, i cili përfshiu momente të rëndësishme.
- Qitje MAM-T/L dhe KEMANKES në ishullin e synuar
Si pjesë e aktivitetit të zhvilluar në brigjet e qytetit Antalya, dy mjete pa pilot të armatosur Bayraktar TB3, të cilët u ngritën njëkohësisht nga aerombajtësja e dronëve TCG Anadolu për misione qitjeje, arritën në zonën e tyre të misionit.
Njëri nga dronët Bayraktar TB3 mbante municione MAM-T dhe MAM-L të zhvilluara në nivel kombëtar nga Roketsan dhe qëlloi mbi objektiva tokësore në ishullin e synuar.
Droni tjetër Bayraktar TB3 goditi objektivin me raketat mini–kruiz me bazë inteligjence artificiale KEMANKES-1, të zhvilluara nga Baykar. Objektivat e caktuar u goditën me sukses gjatë qitjeve.
- Kampion eksporti, kompania më e madhe e UAV-ve në botë – Baykar
Baykar, i cili prej fillimit të tij ka realizuar të gjitha projektet me burime të veta, ka gjeneruar 83 për qind të të ardhurave nga eksportet që prej fillimit të procesit të kërkim-zhvillimit të dronëve në vitin 2003. Kompania arriti 1.8 miliard dollarë eksporte në vitin 2023, duke u renditur ndër 10 kompanitë më të mëdha eksportuese në Turqi në të gjitha sektorët.
Kompania, më e madhja në botë në tregun e eksporteve të mjeteve ajrore pa pilot, vazhdoi suksesin global edhe në vitin 2024, duke gjeneruar 1.8 miliard dollarë nga eksportet, me 90 për qind të të ardhurave që vinin nga eksportet.
Sipas të dhënave nga Sekretariati i Industrive të Mbrojtjes së Turqisë dhe Asambleja e Eksportuesve të Turqisë (TIM), Baykar u rendit ndër 10 eksportuesit më të mëdhenj të Turqisë në të gjithë sektorët në vitet 2023 dhe 2024, duke marrë Çmimin e Kampionëve të Eksportit dhe u bë lider i sektorit të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024.
Kompania përbënte një të tretën e eksporteve të sektorit në vitin 2023 dhe një të katërtën e eksporteve totale të sektorit të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore në vitin 2024, duke e bërë Turqinë lider në tregun global të eksporteve të dronëve.
Baykar ka nënshkruar marrëveshje eksporti me 37 vende, përfshirë 36 për Bayraktar TB2 dhe 16 për dronët Bayraktar Akinci.
